Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH ) ka bërë thirrje për masa të forta politike kundër konsumit të alkoolit, me synimin për të frenuar dhjetëra mijëra raste të kancerit në Evropë, thuhet në një deklaratë të publikuar sot.
“Politikat e forta kundër alkoolit janë ndër investimet më të mençura që mund të bëhen”, theksoi Zyra Rajonale e OBSH-së për Evropën dhe Agjencia Ndërkombëtare për Kërkime mbi Kancerin (IARC) gjatë prezantimit të një raporti të gjerë mbi parandalimin e kancerit.
Sipas deklaratës, një politikë e tillë shpëton jetë, kursen para dhe jep rezultate brenda pak vitesh.
Raporti i ri tregon se Bashkimi Evropian është rajoni me nivelin më të lartë të konsumit të alkoolit në botë, ndërsa kanceri është tashmë shkaku kryesor i vdekjeve në këtë zonë.
Vetëm në vitin 2020, alkooli shkaktoi rreth 111 300 raste të reja të kancerit në vendet e BE-së, përfshirë dhjetëra mijëra raste të kancerit kolorektal, të gjirit dhe të gojës.
Për herë të parë, IARC- ja ka analizuar në detaje parandalimin e kancereve të lidhura me alkoolin, të cilat, sipas ekspertëve, përfshijnë të paktën shtatë lloje të ndryshme.
Drejtori i parandalimit dhe promovimit të shëndetit në OBSH Evropë, Gundo Weiler, paralajmëroi se vendet e BE-së po paguajnë një çmim shumë të lartë për alkoolin“në formën e kancereve të parandalueshme, familjeve të shkatërruara dhe miliardave euro kosto për taksapaguesit”.
“Rajoni Evropian i OBSH-së nuk mund të lejojë më iluzionin se konsumimi i alkoolit është padëmshëm”, shtoi ai.





