Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka këshilluar kundër panikut pas rastit të parë të importuar – të variantit të ri të lisë së majmunit në Evropë.
Hans Kluge, drejtori rajonal i OBSH-së për Evropën, tha se virusi ka qarkulluar në rajon në një variant të mëparshëm, të njohur si clade II, që nga shpërthimi i mëparshëm në 2022.
Sipas Kluge, rreth 100 raste të këtij varianti ndodhin aktualisht në muaj në Evropë.
“Lija e Majmunit nuk është Covid i ri”, tha Kluge në një video-telefonatë me mediat në Gjenevë. “Ne dimë të kontrollojmë linë e majmunit”, shtoi ai.
Ai deklaroi se shpërthimi në Evropë dy vite më parë u vu nën kontroll përmes vigjilencës së lartë ndaj infeksioneve të reja, vaksinimeve dhe përfshirjes direkte të meshkujve që kryejnë marrëdhënie seksuale me meshkuj.
Megjithatë, ai tha se mungonin vullneti politik dhe burimet për të zhdukur plotësisht linë e majmunit në Evropë. Ai shtoi se tani është shansi për të qenë vigjilentë ndaj rasteve të sapo importuara të clade Ib nga Afrika si dhe për të luftuar efektivisht clade II.
Javën e kaluar, për shkak të shpërthimeve të lisë së majmunit në Afrikë dhe variantit të ri, ndoshta më të rrezikshëm të clade Ib, OBSH e shpalli virusin një emergjencë të shëndetit publik me shqetësim ndërkombëtar.
Sipas ekspertëve, clade Ib duket se është më lehtë i transmetueshëm se variantet e mëparshme dhe gjithashtu ka më shumë gjasa të çojë në infeksione të rënda.
Megjithatë, Kluge theksoi se ka pasur vetëm një rast clade Ib të importuar deri më tani në Evropë – në Suedi.
Clade II dominues i mëparshëm në Evropë transmetohet kryesisht përmes kontaktit të ngushtë me lëkurën dhe ata që preken më shumë janë meshkujt që kryejnë marrëdhënie seksuale me meshkuj.
Virusi shkakton skuqje, ethe dhe dhimbje muskulore. Këtë vit, më shumë se 14,000 raste të dyshuara me linë e majmunit dhe më shumë se 500 vdekje janë raportuar nga Republika Demokratike e Kongos dhe vende të tjera afrikane.