Friday, November 22, 2024
HomeSOCIALEEKONOMINuk ka rritje të çmimit të energjisë, as kufizime

Nuk ka rritje të çmimit të energjisë, as kufizime

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se çmimi i energjisë elektrike për qytetarët shqiptarë nuk do të rritet, ndërsa siguroi se nuk do të ketë as kufizime të energjisë. Gjatë një takimi me administratorët e energjisë, në kuadër të planit të masave për kursim, Balluku u shpreh se një ndër shkaqet pse Shqipëria ka ruajtur nivelin më të ulët të inflacionit në Ballkan, është pikërisht për shkak të mburojës energjetike që u ka dhënë familjarëve, duke mos i ekspozuar përballë çmimeve të çmendura. Sa i përket fashës 800 kilovat, zv/kryeministrja tha se është e studiuar nga analistët se cili është konsumi i nevojshëm për një familje mesatare me 4-5 pjesëtarë, duke marrë parasysh aktivitetet familjare që kryhen, duke pasur parasysh edhe masat e eficiencës. “Ne kemi synim të mbrojmë abonentët me çdo kusht. Rritja e prurjeve nga reshjet në shtator dhe ulja e konsumit bëri që të mos aplikohej fasha”, tha Balluku. Duke ju referuar shifrave, Balluku bëri të ditur se abonentët familjarë po tregohen gjithmonë e më të përgjegjshëm sa i takon kursimit duke ndikuar kështu në uljen e konsumit të përgjithshëm në rang vendi krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. “Synimi ynë është ulja e konsumit të energjisë. Gjatë këtij muaji ka vazhduar akoma ulja e konsumit të energjisë nga familjarët dhe kjo është shumë e rëndësishme. Sot që flasim, duke e krahasuar me vitin e mëparshëm, me 25 ditët e para të muajit tetor të 2021-shit, jemi në 5% më pak konsum në rang vendi dhe kjo është diçka shumë e rëndësishme, sepse tregon që njerëzit kanë reaguar”, tha Balluku. Ministrja apeloi drejtuesit e institucioneve shtetërore të kursejnë energjinë, teksa kujtoi se në Aktin Normativ të miratuar nga qeveria do të ketë edhe penalitete. “Qeveria shqiptare ka nisur prej kohësh një program të tërë që ka të bëjë me mburojën sociale për abonentët familjarë, bizneset e vogla dhe ato të lidhura në tensionin e mesëm. E kemi nisur nga shtatori 2021, kur filloi edhe kriza e çmimeve”, tha Balluku gjatë një takimi me administratorët e energjisë, në kuadër të planit të masave për kursimin e energjisë. Sipas zv.kryeministres në Shqipëri prodhohet, në vitet më të mira hidrike, 70 % të energjisë së nevojshme, pjesa tjetër importohet. Zv/kryeministrja shpjegoi se buxhetit të shtetit gjithmonë i është dashur të subvencionojë këtë sektor. Nga ana tjetër, ajo vuri në dukje se ka pasur arritje të konsiderueshme. “Në vitin 2013, humbjet në rrjet ishin 45 %, gati gjysma e sasisë së prodhuar dhe importuar. Ndërkohë sot humbjet janë nën nivelin 20 %. Ka pasur progres të rëndësishëm edhe sa i përket faturimit”, tha ajo. Balluku u ndal dhe tek Akti Normativ që ngarkon administratorët e energjisë me detyrimin për kursim, deri në 15 % të faturës së një viti më parë. “Ne na duhet të dalim në import dhe kur para një viti e gjysmë energjia blihej me 30 euro për megavat, ndërsa sot blihet me 10 apo më shumëfish. Sot çdo kilovat orë ka vlerë 10 fish. Përmes një Akti Normativ, kemi marrë një zotim, të ulim konsumin me 15 % për çdo institucion. Siç është dhe direktiva e BE-së. Ulja krahasohet me faturën e një viti më parë. Në rast se ne arrijmë të ulim konsumin me 15 % për çdo institucion, ulet me 1 % konsumi në total, që do të thotë rreth 30 milionë euro në vit kursim”, deklaroi zv/kryeministrja. Ky kursim, vuri në dukje Balluku, do të shërbejë për të subvencionuar 1 milion e 90 mijë abonentë familjarë dhe biznese të vogla dhe ato të lidhura me tensionin e mesëm. Sipas saj, procesi do të ndiqet nga Taskforca.http://ata.gov.al/2022/10/25/balluku-nuk-ka-rritje-te-cmimit-te-energjise-as-kufizime/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments