Monday, November 25, 2024
HomeSOCIALEEKONOMINorma e interesit në rritje

Norma e interesit në rritje

Në datat 5-6 dhjetor 2022, Banka e Shqipërisë organizon workshop-in XVI të kërkimeve ekonomike për Evropën Juglindore. Hapja e punimeve u përshëndet nga guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko si dhe nga ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri Ruth Huber. Guvernatori Sejko u shpreh për të pranishmit se kryefjala e këtij aktiviteti është prezantimi, diskutimi dhe shkëmbimi i punës kërkimore ndërmjet kolegëve në institucionet homologe, që punojnë për të njëjtat tema dhe përballen me të njëjtat sfida. Ai shtoi se ky workshop do të shërbejë për të kuptuar më mirë origjinën dhe kompleksitetin e sfidave me të cilat po përballemi dhe për të hartuar politikat e duhura për trajtimin e tyre. Më tej, Guvernatori shtoi se gjatë viteve, workshop-i i Bankës së Shqipërisë ka ndryshuar dhe evoluar në mënyra të ndryshme, ashtu si sfidat dhe situatat e reja që ne hasim. Sivjet, ai zhvillohet në një moment veçanërisht të vështirë: ndërsa ende përballemi me ndërlikimet e tërheqjes graduale të politikave të zbatuara gjatë pandemisë, janë shfaqur rreziqe të reja, të cilat janë vendosur menjëherë në qendër të vëmendjes sonë. Guvernatori Sejko theksoi se Shqipëria përballet me sfidën e rritjes së çmimeve ndërkombëtare të energjisë dhe produkteve bazë në tregjet ndërkombëtare, shtrëngimin e kushteve financiare te partnerët kryesorë dhe në tregjet globale, të cilat me gjasa do të vazhdojnë dhe do të shoqërohen me ngadalësimin ekonomik në Evropë. Në tetor, inflacioni shënoi 8.3%, duke vazhduar të përbëjë kërcënimin kryesor ndaj stabilitetit makroekonomik, si dhe ndaj rritjes së qëndrueshme e afatgjatë të Shqipërisë. Më tej, Guvernatori nënvizoi se studimet e shumta të kryera në fushën e politikës monetare kanë dokumentuar rrezikun real që mbart inflacioni i lartë e i qëndrueshëm si dhe pritshmëritë inflacioniste për ekonomitë dhe familjet. Ai shtoi se hulumtimet dhe analizat e fundit të Bankës së Shqipërisë tregojnë se në rrethanat aktuale, e vetmja përgjigje që mund të japë banka qendrore është të ndjekë një politikë të rritjes së normës bazë të interesit, duke forcuar kështu angazhimin e saj për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve. Ky kurs veprimi do të krijojë kushtet e nevojshme monetare për të kontrolluar inflacionin dhe pritjet për të, si dhe do ta ndihmojë atë të kthehet në objektiv brenda një horizonti kohor të arsyeshëm. Në vijim, ai theksoi se më e rëndësishmja, projeksionet e bankës, të cilat përfitojnë nga të njëjtat modele dhe analiza të kërkimit, sugjerojnë se raundi aktual i rritjeve të normës bazë të interesit nuk do ta çojë ekonominë në recension. Ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet në horizontin afatmesëm. Guvernatori Sejko përfundoi fjalën duke falënderuar ambasadoren Huber, Qeverinë Zvicerane dhe Sekretariatin Zviceran të Shtetit për Çështjet Ekonomike (SECO) për mbështetjen e vazhdueshme të veprimtarisë kërkimore në Bankën e Shqipërisë. Ai shtoi se Banka e Shqipërisë dhe SECO bashkëpunojnë prej 10 vitesh për të ngritur dhe përmirësuar punën kërkimore sipas standardeve më të mira ndërkombëtare, si dhe për ta bërë atë praktike dhe të dobishme në kontekstin e bankës qendrore. Gjithashtu, ai falënderoi folësit, diskutantët, drejtuesit e sesioneve dhe stafin e Bankës së Shqipërisë për kohën dhe përpjekjet dedikuar këtij aktiviteti të rëndësishëm, duke i ftuar të marrin pjesë në mënyrë aktive dhe të zhvillojnë një debat energjik e frytdhënës. Ky workshop synon të ofrojë një forum diskutimi të punëve dhe projekteve kërkimore të kryera nga Banka e Shqipërisë gjatë vitit 2022, dhe të nxisë shkëmbimin e pikëpamjeve midis kërkuesve të Bankës së Shqipërisë dhe kërkuesve nga bankat qendrore të rajonit e më gjerë, si dhe nga akademia vendase dhe e huaj, mbi rezultatet e kërkimit shkencor për çështjet e lidhura me aktivitetin e bankave qendrore. Puna kërkimore në fushën e politikës monetare, stabilitetit financiar dhe mbikëqyrjes bankare, gjithmonë ka dominuar në temat e këtij aktiviteti të përvitshëm. Këtë vit, përveç çështjeve tradicionale të politikës monetare dhe bankingut qendror, një vëmendje e veçantë i kushtohet edhe: ndryshimeve klimatike dhe rreziqeve të lidhura me to, si dhe financave të gjelbra, të cilat janë kthyer në “lajtmotiv” të komunikimeve të shumë bankave qendrore dhe institucioneve evropiane e ndërkombëtare; digjitalizimit të shërbimeve financiare dhe përmirësimeve teknologjike, si dhe implikimeve të tyre në objektivat e bankës qendrore. Gjatë dy ditëve të punimeve të aktivitetit do të prezantohen dhe diskutohen mbi 35 materiale studimore, prej të cilave 11 materiale kanë për autorë punonjës të Bankës së Shqipërisë.https://ata.gov.al/2022/12/05/sejko-norma-e-interesit-ne-rritje-kusht-per-stabilitetin-e-cmimeve/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments