Abonentët familjarë dhe bizneset po paguajnë rregullisht faturat e energjisë elektrike, çka po sjell një performancë pozitive financiare të kompanisë OSHEE.
Administratori i OSHEE-së, Enea Karakaçi, në një intervistë në media bëri të ditur se fitimi i kompanisë llogaritet rreth 6 miliardë lekë në 2024-ën.
Kreu i OSHEE-së deklaroi se reduktimi i nivelit të humbjeve nën 17.5 % është një tjetër faktor pozitiv i performancës së grupit, që së bashku me investimet e shtuara në rrjetin elektrik, do të rrisë më tej shërbimin e furnizimit me energji elektrike të konsumatorëve tanë.
“Ne pretendojmë të mbyllim vitin 2024 me një fitim prej 6 miliardë lekësh, që është dhe rezultati më i mirë i kompanisë. Kjo vjen nga një nivel rekord arkëtimesh”, deklaroi ai.
Karakaçi tha se norma e arkëtimit për familjarët dhe bizneset është mbi 100%, çka do të thotë që jo vetëm mblidhen faturat korente, por edhe detyrimet e prapambetura.
Sa i përket institucioneve buxhetore dhe jobuxhetore, Karakaçi tha se ka rritje të pagesave nga 60% në 85%.
Sipas tij, reforma e ndërmarrë ka përmirësuar treguesit edhe te sektori i ujësjellës kanalizimeve.
“Në fakt ujësjellës kanalizimet për shkak të reformës shumë të mirë në këtë sektor, niveli i pagesave të tyre ka shkuar në 90% nga 50% që ishte para reformës”, deklaroi Karakaçi.