Bashkimi Evropian duhet të pezullojë projektet financiare që janë të dobishme për Republikën Sërpska, dhe të shqyrtojë vendosjen e sanksioneve të synuara ndaj individëve në këtë entitet të Bosnjë-Hercegovinës, të cilët minojnë sovranitetin dhe rendin kushtetues të shtetit.

Kjo thuhet, ndër të tjera, në një dokument jozyrtar (“non-paper”), të përpiluar nga Franca dhe Gjermania, të cilin e ka siguruar Radio Evropa e Lirë.

Në dokumentin e datës 12 maj 2025, që ka pak më shumë se dy faqe, thuhet se kriza aktuale kushtetuese “përbën sfidën më serioze për sovranitetin, unitetin dhe integritetin territorial dhe funksional të Bosnje e Hercegovinës në 30 vjetët e fundit”.

Ekzistenca e këtij dokumenti u bë e ditur nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Millan Mojsilloviç, më 22 maj, pas një mbledhjeje të Këshillit për Siguri Kombëtare, ku ai tha se dokumenti, që u prezantua nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, “vështirëson pozitën e Republikës Sërpska”.