Mbi 30 mijë qytetarëve do t’u njihet periudha e punësimit para vitit 1994, pa pasur nevojën e hapjes së proceseve të tejzgjatura gjyqësore për shkak të dëmtimit të dokumentacioneve.

Qytetari duhet të dorëzojë vetëm një dokument i cili do të vërtetojë ku ka qenë banorë për periudhën që kërkon ti njihet.

Parlamenti miratoi në seancën e fundit plenare ligjin “Për njohjen e periudhave të punësimit në institucionet shtetërore, në ish-ndërmarrjet shtetërore, në ish-ndërmarrjet bujqësore dhe në ish-kooperativat bujqësore”, një nismë e MEKI dhe ISSH, që me mbështetjen e qeverisë sjell një zgjidhje të shumëpritur dhe përfundimtare për mijëra qytetarë.

“Për shkak të mungesës së dokumentacionit të vjetër, janë përballur me vështirësi të mëdha në njohjen e viteve të punës për efekt pensioni,” u shpreh ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja.

Sipas tij, ky ligj eliminon burokracitë dhe shpenzimet që mijëra qytetarë janë detyruar të përballojnë për të provuar vjetërsinë në punë, njeh automatikisht periudhat e punësimit para vitit 1994, duke shmangur proceset e gjata gjyqësore.

“Për shumë vite, një problematikë e trashëguar ka rënduar mbi qytetarët që, për shkak të keqmenaxhimit të dokumenteve shtetërore, nuk kanë mundur të dëshmojnë vitet e punës dhe kanë marrë pensione më të ulëta nga sa u takonte. Mijëra prej tyre janë detyruar të ndjekin rrugë të gjata ligjore për të fituar të drejtën e tyre, ndërsa shumë të tjerë nuk kanë pasur mundësi të kërkojnë atë që u takon,” tha ministri.

Me këtë ligj, vijoi ministri, kapitulli i kalvareve burokratike me mbi 3000 procese gjyqësore në vit, e i padrejtësisë mbyllet përfundimisht.

“Ky është një tjetër hap në përpjekjen tonë të vazhdueshme për të garantuar një sistem pensionesh më të drejtë dhe më të qëndrueshëm, duke i dhënë dinjitetin që meritojnë qytetarëve tanë në moshë pensioni,” tha Gonxhja.