Njësitë lëvizëse për dhurimin e gjakut në çdo qytet

0
4

Koçiu shprehet në një postim në rrjetet sociale që në prag të festave të fundvitit, të mendohet pak më shumë për ata që kanë nevojë.

“Në këtë prag sezoni festash, le të mendojmë për ata që kanë më shumë nevojë. Ndërsa shijojmë festat, njësitë lëvizëse të dhurimit të gjakut do të jenë të pranishme në sheshet kryesore të qyteteve. Merrni pak kohë, dhuroni gjak dhe bëhuni arsyeja që dikush tjetër të ketë mundësinë të festojë jetën”, apelon Koçiu.

Ministrja deklaron se gjatë këtij viti, nga janari deri në nëntor, janë realizuar 16997 dhurime familjare dhe 5982 dhurime vullnetare, duke dëshmuar përkujdesjen dhe angazhimin për ata që kanë më shumë nevojë.

“Por nevojat për gjak vazhdojnë, dhe çdo dhurim është një shpresë e re për dikë. Bëjeni këtë sezon edhe më të veçantë me një akt human. Dhuroni gjak dhe dhuroni jetë. Bashkë mund të ndryshojmë të ardhmen e dikujt”, thotë Koçiu.

Me mijëra jetë shpëtohen nga dhurimi vullnetar i gjakut, që nga të aksidentuarit, deri tek pacientët me talasemi, të cilët duhet të marrin gjak çdo dy javë për gjatë gjithë jetës së tyre. Dhurimi i gjakut çdo gjashtë muaj, mund të zvogëlojë mundësinë për sëmundje kardiovaskulare deri në 90%.

Çdo dhurues gjaku, si edhe ata periodikë, përfitojnë kryerjen e disa testimeve falas si: gjak komplet; transaminazat ALT; konfirmimin e grupit të gjakut dhe Rh; testim për Hepatit B, C, HIV, sifiliz, etj. Ndërsa nëse je dhurues periodik, përveç testimeve të sipërpërmendura kryhen edhe disa ekzaminime shtesë si, glicemia, kreatinemia, proteinemia, kolesterolemia, trigliceridemia dhe feritinemia.