Në një studim që mund të revolucionarizojë trajtimin e kancerit, studiuesit izraelitë arritën të ”nxitin” qelizat kancerogjene të kryejnë “vetëvrasje”. Ekipi hulumtues i Universitetit të Tel Avivit, i udhëhequr nga profesor, Dan Peer dhe studentja e doktoraturës, Yasmin Granot Matok, kodoi një toksinë të prodhuar nga bakteret në molekulat e ARN-së (mRNA). Këto grimca mRNA u dërguan drejtpërdrejt në qelizat e kancerit, duke nxitur qelizat të prodhojnë toksinën, e cila përfundimisht çoi në vdekjen e tyre. Ndryshe nga trajtimi tradicional i kimioterapisë, toksinat nuk dëmtuan qelizat e afërta. ”Ideja jonë ishte të dërgonim molekula të sigurta mRNA, të koduara për një toksinë bakteriale direkt në qelizat e kancerit, duke i nxitur këto qeliza të prodhonin proteinën toksike, që më vonë do t’i vriste ato”, tha Peer. Së pari, ekipi hulumtues kodoi informacionin gjenetik të proteinës toksike të prodhuar nga bakteret e familjes pseudomonas në molekulat mRNA, që i ngjan procedurës në të cilën informacioni gjenetik i proteinës ‘spike’ të COVID-19 u kodua në molekulat mRNA për të krijuar vaksinën e koronavirusit. Molekulat mRNA u paketuan më pas në nanogrimca lipide për t’u shpërndarë në qelizat e kancerit. Këto nanogrimca lipidike (LNP) u zhvilluan në laboratorin e Peer. Për t’u siguruar që udhëzimet për prodhimin e toksinës të arrinin kancerin e synuar, nanogrimcat lipidike u mbuluan me antitrupa. Molekulat u testuan duke i injektuar ato në tumoret e modeleve të kafshëve me kancer të lëkurës melanoma. Studiuesit zbuluan se pas një injeksioni të vetëm, 44-60% e qelizave të kancerit u zhdukën. “Për më tepër, qelizat e kancerit nuk mund të zhvillojnë rezistencë ndaj teknologjisë sonë siç ndodh shpesh me kimioterapinë, pasi ne gjithmonë mund të përdorim një toksinë të ndryshme natyrore”, tha Peer. atsh
Një studim revolucionar ”nxit” qelizat e kancerit të ”vetëvriten”
RELATED ARTICLES