Një skicë e vogël, e Michelangelo-s, thuajse sa madhësia e një dore, u shit për 27,2 milionë dollarë në një ankand në Nju Jork, sipas CNN.
Historia nisi kur pronari i skicës dërgoi një fotografi të saj në portalin online të vlerësimit të shtëpisë së ankandeve, pa e ditur rëndësinë e jashtëzakonshme që ajo mbante.
Vizatimi paraqet vetëm një këmbë, me thembrën lehtësisht të ngritur nga toka dhe me hijen e skicuar poshtë saj.
Një skicë minimaliste në pamje, por monumentale në domethënie.
Ekspertët e shtëpisë së ankandit në Nju Jork, “Christie’s” – identifikuan autorësinë si vepër të mjeshtrit të Rilindjes, Michelangelo-s.
Skica, e realizuar me shkumës të kuq, ishte një studim paraprak për një nga afresket e Kapelës Sistine në Vatikan, të pikturuar mes viteve 1508 dhe 1512.
Nëse vëzhgohet me kujdes, figura e Sibilës Libiane në tavanin e Kapelës Sistine – një figurë madhështore – dallohet e njëjta këmbë e përdredhur në të njëjtën formë: gishtat paksa të mbledhur, thembra e ngritur dhe hija poshtë saj.
Përputhja është e qartë, duke e lidhur drejtpërdrejt vizatimin me kryeveprën murale.
Zbulimi ofron një vështrim të rrallë në procesin krijues të Michelangelo-s.
Shumica dërrmuese e skicave të tij kanë humbur me kalimin e kohës — disa janë djegur nga vetë artisti, disa të tjera janë shkatërruar nga koleksionistë të hershëm ose gjatë punës së tij.
Sot, vetëm dy skica që lidhen me Sibilën Libiane mbijetojnë në koleksione publike: një në Muzeun Ashmolean, në Oksford dhe një tjetër në Muzeun Metropolitan të Artit në Nju Jork.
Në total, mendohet se kanë mbetur vetëm rreth 50 vizatime të lidhura me Kapelën Sistine, dhe asnjë tjetër nuk është ofruar ndonjëherë më parë në ankand.
Shitja rekord konfirmon edhe një herë etjen e tregut për vepra me rëndësi historike dhe artistike të jashtëzakonshme – sidomos kur bëhet fjalë për një nga emrat më të mëdhenj të artit botëror.





