Muaji qershor parashikohet të jetë më i nxehtë se zakonisht. Në lidhjen direkte me “Vila 24”, moderuar nga Anila Çela, meteorologia Lajda Porja bëri një paralajmërim për zonat ku do jetë në pikun e tij gjatë këtij muaji që sapo ka nisur.Lajda Porja: Qershori ka startuar me temperatura mjaft të larta. Kjo do të jetë vala e parë e të nxehtit në Ballkan dhe Shqipëri. Dielli do të jetë prezent pothuajse gjatë gjithë javës. Sot termometri shënon 17 gradë në mëngjes, do jetë më i freskët në krahasim me ditët e ardhshme. Termometri do të shkojë në 31 gradë, në mesjavë 34 gradë dhe ditën e premte presim temperatura 35-36 gradë edhe në fundjavë. Fundjava do të ketë vranësira të lehta në zonat malore të shoqëruara me rebeshe shiu. E shtuna dhe e diela do të jenë mbi 35 gradë në disa zona dhe 33-34 gradë në pjesën më të madhe të ultësirës perëndimore. Qershori ka temperatura në vlera 30-31 gradë dhe parashikohet që në javën e parë të startojë me temperatura të larta.

Megjithatë, krahas temperaturave të larta, nuk do të mungojnë as rebeshet e shiut si në Peshkopi, Bajram Curri dhe Librazhd me reshje kalimtare.

Sipas Lajda Porja, nga nesër e në vijim pritet që temperaturat të jenë të larta edhe në orët e mëngjesit.

“Kjo është vala e parë. Temperaturat më të larta do të jenë në brigjet greke dhe Turqi. Por edhe Kosova, Maqedonia e Veriut e Mali i Zi, sikurse edhe në Shqipëri”, tha ajo.