Një objekt i paidentifikuar po udhëton me një shpejtësi prej afërsisht 1,6 milion kilometra në orë në galaktikën tonë, shkruan corriere.it. ”Trupi qiellor u vu re në hapësirë me një shpejtësi kaq të lartë sa mund të dilte plotësisht nga ”Rruga e Qumështit”, shpjegon BBC. Shkencëtarët, jo pa dyshim, po përpiqen të kuptojnë se çfarë është. Objekti, i njohur si CWISE J1249 – aktualisht ndodhet 400 vite dritë nga Toka. Sipas ekspertëve ka shumë pak gjasa që të jetë një sondë hapësinore. Arsyeja? Për shkak të përmasave të mëdha. Në fakt, objekti ka një masë prej rreth 8% të masës së Diellit, dhe është 30,000 herë më i madh se planeti ynë. ”Kjo madhësi e pazakontë e vendos CWISE J1249 midis një ylli dhe një planeti”, shpjegon për BBC Dr. Darren Baskill, profesor i astronomisë në Universitetin e Sussex. “Yjet që lëvizin kaq shpejt janë të rrallë. Lokalisht, vetëm një ose dy yje në një mijë lëvizin me atë shpejtësi. Një yll me lëvizje të shpejtë si J1249 do të largohej nga galaktika jonë në disa dhjetëra miliona vjet. Edhe pse ky objekt i madh po lëviz me vetëm 0,001% të shpejtësisë së dritës, ai mund të shkëputet nga galaktika jonë dhe të fluturojë në hapësirën ndërgalaktike”, shpjegon Baskill.