Vizitorët e muzeut “House of History” (Shtëpia e Historisë” në Shtutgart do të ftohen të zhvishen deri te këpucët për të marrë pjesë në ekspozitën “Not i lire së bashku” në dy mbrëmje të ardhshme.
Muzeu, i vendosur në kryeqytetin e landit jugperëndimor Baden-Württemberg, synon të theksojë ndryshimin e qëndrimeve ndaj notit dhe trupit të njeriut.
“Në pishinë pasqyrohet shoqëria. Një shumëllojshmëri njerëzish me mënyra jetese dhe koncepte morale të ndryshme takohen në pishinat publike , ndonjëherë më në harmoni e ndonjëherë më pak”, thuhet në faqen e tij zyrtare.
Muzeu kujton se dikur të pasurit dhe të varfrit laheshin veçmas, ashtu si gratë dhe burrat. “Gjatë periudhës naziste, popullsia hebreje dhe ‘të huajt’ përjashtoheshin. Edhe më herët, invalidët e luftës nuk lejoheshin të hynin. Pamja e tyre konsiderohej e papranueshme”, vazhdon njoftimi.
Duke iu referuar kufizimeve të sotme, thuhet se liria dhe lëvizja e lirë janë sërish tema debati. “A kanë nevojë gratë dhe personat me aftësi të kufizuara për një ‘hapësirë të mbrojtur’? A e ndihmon apo e dëmton toplessi feminismin? A është pranimi i mbulimit maksimal prapakthim apo përparim”?, shtrohet pyetja nga muzeu.
Shoqata gjermane “Get Naked” beson se ka ardhur koha që nudoja të mos shihet më si diçka e jashtëzakonshme dhe të mos lidhet automatikisht me seksin.
“Shtëpia e Historisë” po prezanton një ekspozitë me mbi 200 artefakte dhe fotografi, e cila do të zgjasë deri më 14 shtator, për të treguar se si seksizmi dhe racizmi, konceptet morale, përjashtimi dhe paragjykimet kanë lënë gjurmë në larjen publike, krahas të drejtave të barabarta dhe demokracisë.
Ngjarje të ngjashme janë zhvilluar më herët në Paris, Marsejë, Bruksel dhe Hanover.