Sunday, November 24, 2024
HomeSHKENCA DHE JETANiveli i CO2 më i larti i 14 milionë viteve të fundit

Niveli i CO2 më i larti i 14 milionë viteve të fundit

Përqendrimi i CO2 në atmosferë ka arritur nivelin rekord, që është më i larti në 14 milionë vitet e fundit, me 420 pjesë për milion, një rritje prej afërsisht 50% krahasuar me 280 ppm që karakterizoi fundin e viteve 1700, sipas një studimi të publikuar në revistën ”Science” dhe i koordinuar nga Columbia University. Deri në fund të shekullit mund të arrijmë një përqendrim prej 600 ppm ose edhe më shumë dhe pasojat nuk do të kishin të bënin vetëm me një rritje të dukshme të temperaturave mbi 2 gradë Celsius, por ato do të shkaktonin edhe efekte të shumta kaskadë që do të ndikonin në klimën për mijëra vjet. Më shumë se 80 studiues nga 16 vende morën pjesë në hulumtim, i cili zgjati shtatë vjet. “Ne e dimë prej një kohë të gjatë se shtimi i CO2 në atmosferën tonë rrit temperaturat, por ky studim na jep një ide shumë më të saktë se sa e ndjeshme është klima në shkallë afatgjatë”, komenton Barbel Honisch, i cili koordinoi grupin.

”Nuk jemi në gjendje të themi se çfarë temperature do të ketë në vitin 2100, por mund të themi se do të ketë efekte të ngadalta dhe kaskadë, të cilat do të zgjasin për mijëra vjet. Këto përfshijnë, përveç shkrirjes së akullit polare, ndryshime në mbulesën e bimëve të tokës dhe ndryshime në retë dhe grimcat e pezulluara në atmosferë”, thotë një nga autorët e studimit, Dana Royer. Studiuesit nuk mblodhën të dhëna të reja, por riekzaminuan të gjitha studimet e publikuara deri më tani mbi këtë temë, duke përjashtuar ato që ishin të paplota ose të vjetruara, nën dritën e gjetjeve të reja. Më pas ata llogaritën trendin e dyoksidit të karbonit gjatë një periudhe që daton 66 milionë vjet më parë, duke e krahasuar gjithashtu me të dhënat e disponueshme për temperaturat. Në këtë mënyrë, u bë e mundur të përcaktohet ajo që quhet ”ndjeshmëria e sistemit të Tokës”. Sipas kësaj matjeje, pritet që një dyfishim i përqendrimit të CO2 do të ngrohë planetin me 5-8 gradë Celsius, një vlerësim më i lartë se ato të bëra deri tani.

Rezultatet e studimit tregojnë se, në periudhën më të lashtë, midis 66 dhe 56 milionë vjet më parë, sasia e dyoksidit të karbonit ishte shumë e lartë, midis 600 dhe 700 ppm, e krahasueshme me atë që mund të arrinim në fund të shekullit. Periudha më e ngrohtë, megjithatë, daton rreth 50 milionë vjet më parë, kur CO2 madje arriti në 1600 pjesë për milion dhe temperatura ishte 12 gradë më e lartë se sot. Pas kësaj, 34 milionë vjet më parë përqendrimet e dyoksidit të karbonit u ulën mjaftueshëm për të lejuar zhvillimin e shtresës aktuale të akullit të Antarktidës. Nivelet e CO2 më pas mbetën relativisht të qëndrueshme deri rreth 250 vjet më parë, kur aktivitetet njerëzore filluan të modifikojnë atmosferën në një shkallë të gjerë.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments