Do të fillojë zvogëlimi i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës për 25%, në dhe përreth objekteve komunale në veri. Kështu ka informuar sot Policia, me ç’rast është bërë e ditur se vendimi ka ardhur pas vlerësimit nga Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i. Sipas vlerësimit, situata e sigurisë në dhe rreth objekteve të komunave veriore vlerësohet se është e mirë. “Policia e Kosovës në vazhdën e realizmit të detyrave dhe autorizimeve të saja kushtetuese dhe ligjore në interes të sigurisë publike në vend, si dhe me qëllim të zbatimit të dakordimeve të arritura në Bratisllavë me 10 korrik 2023, në mes të Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës, saktësisht hapit dy të këtij dakordimi, me këtë rast është mbajtur takimi punues mes Policisë së Kosovës, EULEX dhe KFOR për vlerësim të situatës së sigurisë, në dhe përreth ndërtesave komunale të komunave veriore. Sipas vlerësimit të përbashkët, nga Policia e Kosovës, EULEX dhe KFOR, situata e sigurisë në dhe rreth objekteve të komunave veriore vlerësohet se është e mirë”, është bërë e ditur në komunikatë. Po ashtu, është potencuar se ekipet e Policisë së Kosovës, bashkë me EULEX dhe KFOR, do të vijojnë koordinimin dhe do të ndërmarrin veprimet e nevojshme sipas vlerësimit të rregullt të situatës së sigurisë në dhe përreth objekteve komunale, në komunat veriore të Republikës se Kosovës. ATSH
Nis zvogëlimi i policëve me 25% nga objektet komunale në veri
RELATED ARTICLES