Banesa e Nikolla Manestrës, Monument Kulture, Kategoria I, është e vendosur në pjesën e poshtme të ndërtimeve në lagjen “Goricë” të qytetit të Beratit.
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Berat ka ndërmarrë ndërhyrje restauruese, duke parë problematikat që kjo banesë paraqiste. DRTK Berat mori masa të menjëherëshme, sidomos për problematikën që paraqiste gjendja e murit rrethues, dritareve dhe streha e çatisë.
Fillimisht ndërhyrjet synojnë prishjen, ndërtimin dhe në restaurimin e murit të gurit. Pjesa e poshtme e murit do të restaurohet me teknikën shqep-qep. Kjo ndërhyrje duhet bërë me shumë kujdes duke marrë masa për të parandaluar shkarjen e dherave. Më pas do të kryhet restaurimi i strehës me një palë dhe dy palë dhe qeramosja e çatisë në pjesën ku kanë lëvizur tjegullat. Dritaret e dëmtuara do të zëvendësohen me të reja. Gjithashtu do të hiqen dherat të cilat do të dalin gjatë kohës së restaurimit.