Ka filluar puna për zbatimin e projektit të hartuar nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër dhe miratuar nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale me mbështetjen e Ministrisë të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për “Restaurimin e kishës së Shën e Premtes”, Përmet (Monument Kulture, Kategoria I).

Punimet restauruese do të kryhen në bazë të marrëveshjes së MEKI-t dhe një donatori në përputhje me projektin e miratuar.

Kisha e Shën e Premtes, e ndërtuar në vitin 1776, është Monument Kulture i Kategorisë së Parë dhe ndodhet në Zonën e Mbrojtur të Qendrës Historike të qytetit të Përmetit.

Zona e Mbrojtur përfshin të gjitha ndërtimet ekzistuese dhe shtrihet kryesisht në lagjet e Shënkollit (Varosh) dhe të Teqesë, të cilat për nga kompozimi i ndërtimeve dhe rrugëve me kalldrëm, janë lagjet ku gjenden gjurmët më të vjetra të qytetit. Brenda Qendrës Historike përfshihen dy objekte kulti: Kisha e Shën e Premtes dhe Kisha e Shën Kollit (ndërtuar në shekullin XIX).

Ndërkohë në mbledhjen e radhës të KKTKM, një javë më parë, u miratuan disa vendime për ndërhyrje restauruese edhe në objekte të qyteteve të tjera si: Gjirokastër, Berat, Elbasan, Memaliaj. Projektet përfshijnë: Stacionin rrugor Ad Quintum, Manastirin e Shpërfytyrimit në Mingul të Gjirokastrës, një banesë në lagjen Kala të Beratit, Hamami i Meçites në Gjirokastër, Kisha e Shën Mëri Spilesë, Ura e Zerzebilit etj.