Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu zhvilloi sot një vizitë pune në Cambridge, në Mbretërinë e Bashkuar, ku së bashku me drejtuesit e Fondacionit Shqiptaro-amerikan për Zhvillim (AADF) dhe ekipin e ekspertëve ka nisur puna me Cambridge Assessment Centre, për modernizimin e Qendrës së Shërbimeve Arsimore.
Manastirliu informoi se ky bashkëpunim vjen përmes praktikave më të mira botërore të metodologjive të reja për testimin e njohurive dhe kompetencave të nxënësve dhe studentëve në arsimin parauniversitar dhe universitar.
Ajo vlerësoi po ashtu se ky është një hap shumë i rëndësishëm në kuadër të reformës për transformimin e Qendrës së Shërbimeve Arsimore, në partneritet me AADF dhe Cambridge Assesment Centre. “Ky bashkëpunim do të ndihmojë për rritjen e kapaciteteve, përmirësimin e infrastrukturës për digjitalizimin e plotë të shërbimeve, përgatitjen për testet ndërkombëtare, rritjen e cilësisë së shërbimeve për të arritur standardet ndërkombëtare, me synim për të sjellë një qasje të re e për ta transformuar Qendrën e Shërbimeve Arsimore në një agjenci autonome të testimit dhe vlerësimit”, tha ajo.