Qendra e Transferimit të Teknologjive Bujqësore Fushë-Krujë ka nisur punën për krijimin e regjistrit digjital për ullishtet në 4 zona Lushnjë, Fier, Mallakastër dhe Vlorë që mbulon 40% të ullishteve të vendit.

Sipas QTTB-së, kadastra e ullirit synon integrimin në sistemin e informacionit gjeografik (GIS), sipas standardeve të BE, për rritjen e kontributit të këtij sektori në përmirësimin e të ardhurave të familjeve bujqësore dhe të ekonomisë në tërësi.

Përmes këtij procesi, do të regjistrohen rreth 11.500 njësi të reja të ullirit, në njësitë administrative Dushk, Karbunarë të bashkisë Lushnjë; Mbrostar, Libofshë të bashkisë Fier; Kutë, Selitë të bashkisë Mallakastër; Qendër dhe Orikum të bashkisë Vlorë.

Kadastra e ullirit do të shërbejë për orientimin e fermerëve, tregtarëve dhe përpunuesve në gjithë zinxhirin e prodhimit, të tregtimit dhe krijimit të vlerave.

Aktualisht kemi 54.950 ha me ullinj, ose mbi 11 milionë rrënjë ulliri, afërsisht trefish më shumë krahasuar me vitin 2005. Rritja e shpejtë e këtij sektori kërkon vëmendje të veçantë, kërkon ngritjen e infrastrukturës së nevojshme për drejtimin e këtij sektori sipas modeleve me të përparuara dhe në përshtatje me praktikat që ndiqen në këtë sektor nga Komuniteti Evropian.