Në takimin e organizuar nga Agjencia Kadastrale e Kosovës dhe Agjencia e Regjistrimit Civil me kryetarë të komunave, me temën “Ndërlidhja e qytetarit me adresë zyrtare”, është theksuar se zbatimi i këtij projekti është i rëndësishëm për shtetin, funksionimin e institucioneve, e sidomos edhe për shërbimet e ndryshme për qytetarët.
I pranishëm në këtë takim ishte edhe ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, i cili u shpreh i kënaqur me arritjen në këtë fazë të këtij projekti, duke shtuar se i njëjti po shkon në vazhdimësi duke u azhornuar dhe vetëm në këto kohët e fundit janë edhe 70 mijë adresa të reja që janë shtuar.
Ai gjithashtu tha se janë edhe shumë kilometra rrugë të shtuara në kode të reja.
Ndërsa, drejtori i Agjencisë për Regjistrim Civil, Blerim Camaj tha se gjitha detyrat që kanë sipas marrëveshjes, do të bëhen në kohë, duke u zotuar se do të kenë bashkëpunim të mirë edhe me agjencitë përkatëse por edhe me komunat në këtë drejtim.
Eksperti për çështjen e adresave në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, Ahmet Sogujeva teksa ka prezantuar rezultatet e arritura deri më tani sa i përket krijimit të sistemit të adresave në Kosovë, ka thënë se ndërlidhja e qytetarit me adresë është një prej projekteve kulminante të këtij aktiviteti. Ai shtoi se në vazhdimësi do të zhvillohet edhe një aplikacion për shërbime të brendshme të Kosovës, për kompani të ndryshme dhe komuna me të dhëna zyrtare të adresave me një aplikacion apo navigacion që mund të shërbejë sa i përket adresave, gjetjes së lokacionit të dëshiruar.
Të dhënat e adresës zyrtare (komunës, rrugës, numrit të adresës etj.) do të mblidhen nga Agjencia Kadastrale e Kosovës, ndërsa të dhënat e qytetarëve do të mblidhen nga Agjencia e Regjistrimit Civil.
Ndërkaq, përftimet e qytetarëve me përdorimin e adresës zyrtare janë se pas realizimit të këtij procesi, në sistemin e gjendjes civile, të njëjtit do të kenë adresën zyrtare dhe unike, përmes së cilës do të ketë shumë përfitime, si, adresë unike në të gjitha shërbimet komunale (faturat e ujit, energjisë, mbeturinave etj.), planifikimi i shërbimeve shëndetësore adekuate sa më afër qytetarëve, planifikimi i duhur i çerdheve dhe shërbimeve tjera komunale, pranimi i dokumenteve të ndryshme si letërnjoftim, pasaportë, në adresë etj.