Korporata amerikane e këpucëve dhe veshjeve atletike ”Nike” ka bërë të ditur se parashikon një kosto shtesë prej një miliard dollarësh për shkak të tarifave të vendosura nën administratën e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, derisa kompania kërkon të zhvendosë prodhimin nga Kina.
Drejtori financiar i korporatës ”Nike”, Matthew Friend, tha se këto tarifa përfaqësojnë një pengesë të re dhe domethënëse për kostot.
“Me normat e reja të tarifave në fuqi sot, ne vlerësojmë një rritje bruto të kostos shtesë për ‘Nike’ prej afër një miliard dollarësh. Ne synojmë të zbusim plotësisht ndikimin e këtyre pengesave me kalimin e kohës”, tha Friend.
Vitin e kaluar, pothuajse 60 për qind e të gjitha veshjeve të markës ”Nike” u prodhuan në Vietnam, Kinë dhe Kamboxhia, ndërsa Vietnami, Indonezia dhe Kina përbënin 95 për qind të prodhimit të këpucëve të korporatës amerikane.
Friend theksoi se derisa Kina “mbetet e rëndësishme për bazën tonë globale të burimeve”, kompania planifikon të reduktojë importet e këpucëve në SHBA nga rreth 16 për qind në “diapazonin e lartë me një shifër deri në fund të vitit fiskal 2026”, në vend të kësaj duke furnizuar më shumë nga vendet e tjera.