Në Malësi të Madhe, aty ku xhubleta ka gjalluar për shekuj, ka përfunduar faza e parë e projektit për evidentimin e bartësve të kësaj tradite unike.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri të ditur se si pjesë e projektit “Xhubleta si teknologji dhe dijebërje artizanale”, ky proces ka siguruar identifikimin e individëve që zotërojnë aftësitë e transmetimit të kësaj dijeje dhe krijimin e infrastrukturës së nevojshme për brezat e rinj.

“Ky projekt kulturor është i mbështetur nga UNESCO, në kuadër të ruajtjes dhe promovimit të Xhubletës, si dhe nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, është ngritur në Koplik, Qendra e Trajnimit për Dijebërjen e Xhubletës”, tha ai.

Kjo qendër do të shërbejë si një hapësirë ku artizanët e rinj do të mësojnë dhe ushtrojnë teknikat tradicionale të punimit të xhubletës, duke garantuar ruajtjen dhe përcjelljen e kësaj trashëgimie të rrallë në brezat e ardhshëm.