Këshilli i Ministrave miratoi sot ngritjen e Agjencisë Startup Albania. Në një prononcim për mediet pas mbledhjes së qeverisë, ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Edona Billai u shpreh se ky është një lajm shumë i mirë jo vetëm për ekosistemin e startup-eve, por edhe për çdo të ri e të re që do t’i futet fushës së sipërmarrjes, që ka një ide novatore dhe dëshiron që me atë ide apo shërbim të shkojë përtej kufijve, gjithmonë duke përdorur teknologjinë e informacionit. “Ky lajm vjen edhe në vazhdën e disa ndryshimeve dhe vendimeve që qeveria ka marrë. I pari me ndryshimin e ligjit për mbështetjen dhe zhvillimin e startup-eve ku futëm konceptin e nomadëve digjitalë, që praktikisht ka në bazë dy ndryshime. Fillimisht, lehtësimin e hyrjes së këtij targetgrupi në Shqipëri dhe e dyta, përjashtimin nga taksat për qëndrimin e tyre deri në 1 vit në vend”, tha ajo. Bilali theksoi se efektet e këtij ndryshimi jemi duke i parë dita-ditës në shumëfishimin e hyrjeve, qëndrimin dhe ndërlidhjen e tyre me ekosistemin në Shqipëri. “Ndryshimi i dytë, ky edhe më madhor, ishte vendimi i qeverisë për ndryshime ligjore dhe akte nënligjore për parqet teknologjike dhe shkencore. Tashmë e gjithë baza ligjore dhe aktet nënligjore janë gati e shoqëruar kjo edhe me përjashtimin e vlerës së plotë të pagesës së sigurimeve për pagat e punonjësve të IT-së”, shtoi ajo. Kjo, sipas ministres, do t’i hapë një mundësi dhe perspektivë krejt të re kompanive të huaja apo vendase që po synojnë të diversifikohen dhe të dalin me një prodhim të tyrin qoftë ky në trajtën e një shërbimi për eksport. “Kuadri plotësohet plotësisht me vendimin që kaluam sot. Duke i dhënë një institucion të targetuar këtij targetgrupi, i cili është drejtpërdrejtë i lidhur edhe me akademinë edhe me biznesin, por edhe me shoqërinë civile, ne plotësojmë kështu kuadrin. Dy janë në thelb ndryshimet që do të sjellë kjo formë e re organizimi. Fillimisht dhënia e gjithë suportit financiar nga qeveria do të kalojë te Startup Albania. Gjithashtu edhe monitorimi i fondeve si nga qeveria, por edhe nga donatorë të tjerë që presim t’i bashkohen kësaj iniciative”, tha ajo. Po ashtu, Bilali u ndal edhe tek asistenca që do t’i jepet startup-eve në kohë reale. “Nuk flitet vetëm për One Stop Shop, i cili është i parashikuar në ligjin e startup-eve, por edhe me informacion që lidhet me institucionet e tjera, si paqartësitë që startup-et kanë për pronësinë industriale, për praktikat apo lehtësitë tatimore, gjithashtu edhe për lehtësi të tjera doganore”, shtoi ministrja. atsh