Shkencëtarët analizuan ADN-në e tumoreve te pothuajse 500 mace shtëpiake, duke zbuluar mutacione kyçe gjenetike të lidhura me këtë gjendje.

Kanceri është një nga shkaqet kryesore të ngordhjes së maceve, megjithatë dihet shumë pak për mënyrën se si ai zhvillohet.

“Gjenetika e kancerit te macet ka qenë plotësisht e panjohur deri tani”, tha studiuesja kryesore, Dr. Louise Van der Wayden.

“Sa më shumë të kuptojmë për kancerin në çdo specie, aq më e dobishme do të jetë për të gjithë”, tha ajo.

Ekipi ndërkombëtar i udhëhequr nga Instituti “Wellcome Sanger” në Kembrixh, shqyrtoi rreth 1,000 gjene të lidhura me 13 lloje të kancerit te macet.

Ata zbuluan se shumë nga gjenet që nxisin kancerin te macet pasqyrohen edhe te njerëzit, duke sugjeruar se të dyja speciet ndajnë procese kyçe biologjike që lejojnë tumoret të rriten dhe të përhapen.

Shkencëtarët thonë se macja shtëpiake mund të jetë “çelësi” për të kuptuar disa lloje të kancerit të gjirit, siç është kanceri i gjirit trefish negativ.

Rreth 15 nga 100 raste të kancerit të gjirit janë të këtij lloji.

Macet e zhvillojnë këtë nëntip më shpesh se njerëzit, duke u dhënë shkencëtarëve akses në mostra dhe duke ofruar të dhëna për ilaçe të reja që mund të ndihmojnë në trajtim.

Pothuajse, një e katërta e familjeve në Britaninë e Madhe, zotërojnë të paktën një mace, duke e bërë këtë kafshë pothuajse po aq të përhapur sa qentë, si shoqëruese e besuar.

Por, ndërsa studimet mbi kancerin janë kryer gjerësisht te qentë, macet kanë mbetur të paeksploruara.

Shkencëtarët thonë se të dyja kafshët shtëpiake mund të japin të dhëna mbi faktorët mjedisorë të përfshirë në disa lloje kanceri.

Ato ndajnë të njëjtat hapësira me ne, që do të thotë se ekspozohen gjithashtu ndaj të njëjtëve faktorë mjedisorë si ne.

“Kjo mund të na ndihmojë të kuptojmë më shumë përse zhvillohet kanceri te macet dhe te njerëzit, si ndikon bota përreth nesh në rrezikun e kancerit, dhe ndoshta të gjejmë mënyra të reja për ta parandaluar dhe trajtuar atë,” tha Prof. Geoffrey Wood nga “Kolegji Veterinar i Ontarios”, Kanada.

Studimi është publikuar në revistën “Science”