Vithkuqi dhe Voskopoja, dy nga qendrat me rëndësi për arsimin dhe shkronjat shqipe lidhen me rrugë që përshkohet më së shumti nga makina të larta. Pak njerëz e dinë që kjo distancë prej rreth 15 kilometrash mund të bëhet edhe në këmbë, përmes një shtegu tashmë të shenjuar që kalon në peizazhe piktoreske që dikur i bënin karvanët e mushkave.
Shtegu ka marrë emrin “Udha e Shkronjave” pasi lidh dy fshatra që lidhen ngushtësisht me shkronjat shqipe. Vithkuqi është vendi i origjinës së Naum Veqilharxhit, “Evetari” i të cilit çeli rrugëtimin e arsimit shqip, botuar në vitin 1844.
Sipas studiuesve, në gjysmën e parë të shekullit të XIX-të, shumë ideologë apo mësues autodidaktë, ishin të mendimit që të mësuarit në gjuhën shqipe, me një alfabet të vetëm dhe origjinal ishte e vetmja mënyrë që arsimi të mos zhvillohej sipas përkatësisë fetare.
Një bust i Naum Veqilharxhit ndodhet në sheshin e Vithkuqit.
Shtegu i ri drejt Voskopojës nis nga Manastiri i Shën Pjetrit dhe Pavlit pak në të dalë të fshatit, monument kulture i shekullit XVII. Manastiri ka karakteristikat e objekteve ortodokse të kultit të gjithë zonës së Korçës e më tej. Të ndërtuara me gurë, kishat dhe manastiret e kësaj zone kanë rezistuar në kohë, por kanë nevojë të ngutshme për restaurime, sidomos sa i takon afreskeve në mure. Pak më tej manastirit ndodhet kisha e Shën Kozma Damjanit, një godinë e vogël me kat të nëndheshëm ku ruhen ende dhe sot eshtrat e dhjetëra banorëve të fshatit, tashmë të ngatërruara dhe pa emra. Dikur ato kanë qenë të vendosura në kuti, me emra dhe data, por në kohën e komunizmit kutitë u morën për t’u përdorur për punët e përditshme dhe eshtrat u ngatërruan.
Pas një vizite në manastir që ndodhet në një kodër sipër shtegut, rruga merr në krah të kundërt drejt Voskopojës. Vithkuqi të shoqëron nga larg në kilometrat e parë ndërsa ngjyrat e vjeshtës në këtë kohë e kanë zbukuruar edhe më shumë dhe e bëjnë udhëtarin të mendojë se ndodhet brenda një tabloje.