“Nga pafajësia në pafajësi”, në Teatrin Eksperimental

0
2

Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” vuri në skenë një performancë të veçantë, eksperimentale për skenën shqiptare e cila bëri bashkë elemente të baletit modern, shoqëruar nga një skenar i lexuar dhe i performuar gjatë shfaqjes, me muzikë dhe teatër.

Vepra e titulluar “Nga pafajësia në pafajësi” mban autorësinë e Julian Bulkut dhe erdhi me regji të Inis Gjonit.

Vepra trajton emigrimin, jo vetëm si një realitet normal për thuajse të gjithë shqiptarët, por edhe sepse ky largim nga vendi përkon edhe me dëbimin nga “Edeni” i pafajësisë apo dhe i fëmijërisë. Kthimi në pafajësi lidhet me zhvillimin shpirtëror të artistit, por dhe me kthimin në vendlindje pasi kjo është performanca e parë e balerinit pas kthimit nga emigrimi në Europë.

Një komponent i rëndësishëm i veprës, e cila u duartrokit nga publiku, ishte muzika e Alban Laros, një emër i njohur për publikun shqiptar që prej fillimit të viteve `90, kur së bashku me të tjerë artistë me emër themeluan grupin muzikor “Thunder way”.

Alban Laro ka lindur me një dhuratë të madhe. Muzika e tij qarkohet nga një bukuri sumblime që të çon në një eksperiencë tepër emocionale. Ai krijon tema prekëse me orkestrime të forta nën një gamë të gjerë instrumentesh, nga klasikët tek Rock, dhe më tej.

Edhe këtë herë muzika e Laros ishte e lirë, pa kufij, thjesht muzikë unike dhe origjinale në më të mirën e saj.

Ashtu si dhe babai i tij, Kujtim Laro, Albani është angazhuar në kompozime për disa vepra teatrore e kinematografi si: “Burka e Medeas”, “At Sergi”, “Sophia”, “Foreigner” etj.

Performanca “Nga pafajësia në pafajësi” edhe pse mbetet në thelb shqiptare dhe mund të interpretohet edhe si një vepër dedikuar vendlindjes është si e pakohë. Elementet e folklorit shqiptar si fustanella dhe qeleshja, balerini i zotëroi në mënyrë profesionale, duke i përdorur jo vetëm si elemente estetikë, por edhe si një shpalosje e bukurisë së trashëgimisë kulturore shqiptare që tingulli i Laros i shoqëroi me shumë elegancë.