Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj deklaroi sot se nga java e ardhshme do të nisë shpërndarja e shtesave të pagave për muajt prill dhe maj. Pas mbledhjes së qeverisë, në një deklaratë për mediet, Ibrahimaj bëri të ditur se tashmë është bërë zbardhja e vendimeve dhe është hartuar udhëzimi që i hap rrugën rritjes së pagave për të gjithë punonjësit e administratës shtetërore. Ibrahimaj tha se nga muaji prill e gjithë administrata do të marrë pagën e re të rritur. Reforma e pagave në administratën publike është konsideruar një domosdoshmëri dhe përfshin gjithë hierarkinë dhe administratën shtetërore. Ajo synon të vlerësojë dhe të tërheqë kapitalin njerëzor të kualifikuar, të rrisë mirëqenien e punëmarrësve, ndërkohë që pritet të sjellë stimuj të rinj për ekonominë e vendit. Zbatimi i kësaj reforme madhore, sipas qeverisë, mbështetet në përmbushjen e kushteve të duhura ekonomike, të cilat sipas saj, janë arritur edhe falë implementimit të disa reforma strukturore.