Për zhvillim të vazhdueshëm turistik, një paketë shërbimesh të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit mundësohen përmes “e-Albania”-s. Mes të tjerash, në portal mund të aplikohet online për: Agroturizëm dhe kategori akomodimi; Stacione plazhi; Zgjerim i sipërfaqeve të mbjella me pyje; Ruajtje dhe zhvillim i biodiversitetit; Certifikim i udhërrëfyesve turistikë; Vlerësim të ndikimit në mjedis; Lehtësim procesi të menaxhimit dhe transferimit të mbetjeve.
“e-Albania” është platforma qeveritare e ndërveprimit për ofrimin e shërbimeve elektronike që administrohet dhe zhvillohet nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) dhe shërben si një portë nëpërmjet së cilës çdo person i interesuar mund të marrë nëpërmjet internetit, shërbime elektronike të ofruara nga institucionet publike në Shqipëri.
Tashmë, procedurat janë më të thjeshta dhe veprimet e kryera online përmes një kompjuteri, tableti apo smartfoni, gjithnjë duke përdorur platformën “e-Albania”, mundësojnë edhe shkarkimin në kohë reale të dokumenteve me vlerë ligjore dhe printimin e tyre përmes një printeri e një letre të zakonshme.