Administratori i Furnizuesit të Tregut të Lirë (FTL), Albi Gjenerali, gjatë panelit “Smart Buildings & Free Market: Driving Energy Efficiency and Modern Design”, që u zhvillua në kuadër të “Energy, Construction and Green Economy Fair 2025” në Pallatin e Kongreseve, në Tiranë, theksoi se ky ndryshim do të përfshijë rreth 2300 biznese të lidhura në këtë nivel tensioni, të cilat do të fitojnë të drejtën të zgjedhin vetë furnizuesin e tyre të energjisë.

Ai u shpreh i bindur se pjesa më e madhe e këtyre klientëve do të zgjedhin FTL-në, pjesë e OSHEE Group, për shkak të stabilitetit që kompania ofron në çmim dhe në cilësinë e shërbimit.

“Në portofolin aktual kemi rreth 4000 klientë në rrjetin 35, 20 dhe 10 kV, dhe presim që shumica e 2300 klientëve të rinj t’i bashkohen FTL-së, sepse u garantojmë një çmim stabël përgjatë gjithë vitit të furnizimit të tyre”, deklaroi ai, duke theksuar se kjo politikë i ndihmon bizneset të planifikojnë më mirë aspektet ekonomike dhe financiare.

FTL mbulon aktualisht rreth 80% të tregut të lirë të furnizimit me energji në vend dhe është ndër aktorët kryesorë në këtë proces transformues.

Sipas Gjeneralit, liberalizimi ka sjellë përfitime të ndërsjella si për furnizuesit, ashtu edhe për konsumatorët, duke krijuar kushte për konkurrencë të ndershme dhe duke lehtësuar barrën e Furnizuesit të Shërbimit Universal.

“Klientët që kanë kapacitete për të siguruar energji me çmime konkurruese nuk janë më pjesë e shërbimit universal, i cili është i domosdoshëm për qytetarët dhe bizneset e vogla e të mesme”, shtoi ai.

Në fjalën e tij, Gjenerali vuri theksin edhe te roli i burimeve të rinovueshme në sistemin energjetik shqiptar, duke theksuar se energjia e prodhuar në vend është 100% e gjelbër. Ky fakt, sipas tij, përbën një nga avantazhet më të mëdha të Shqipërisë në tranzicionin drejt një ekonomie të qëndrueshme dhe inteligjente.

Pas kalimit të konsumatorëve të lidhur në tensionet 35 kV, 20 kV dhe së fundmi 10 kV në tregun e lirë, faza e ardhshme do të përfshijë klientët 6 kV, duke shënuar një tjetër gur themeli në ndërtimin e një tregu energjetik modern, transparent dhe konkurrues.