Ajo njihet si ndër këngëtaret shqiptare me zërin më të veçantë dhe më të fuqishëm. Frymëzim për shumë gjenerata pas saj, Nexhmije Pagarusha lindi më 7 maj të vitit 1933 në fshatin Pagarushë afër Malishevës. “Mbretëresha e Muzikës Shqiptare”, mori famë në Shqipëri dhe në vendet fqinje, në sajë të vokalit të saj të veçantë prej sopranoje. Pagarusha ndoqi shkollën e muzikës në Beograd dhe nisi karrierën e këngëtares në vitin 1948, në valët e Radio Prishtinës. Artin e këndimit e lëvroi për 4 dekada në disa zhanre: muzikën folklorike, klasike, si edhe duke interpretuar në opera. Kënga që gëzon më shumë popullaritet në repertorin e saj është “Baresha”, e cila është vlerësuar me çmime të shumta. Koncerti i fundit i Pagarushës u mbajt në vitin 1984, në Sarajevë. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave publikon në këtë përvjetor fotografi të vizitës së Pagarushës në Liceun Artistik “Jordan Misja”, më prill 1971.