Monday, November 25, 2024
HomeSOCIALENëpunësit civilë të kategorisë ekzekutive, rritje me 11-16% të pagës në 2025

Nëpunësit civilë të kategorisë ekzekutive, rritje me 11-16% të pagës në 2025

Departamenti i Administratës Publike publikon për konsultim publik draftin e përmirësuar pas fazës së parë të konsultimeve publike të dokumentit “Masat prioritare në kuadër të Reformës së Administratës Publike 2023 – 2030″.

Në kapitullin e dytë të dokumentit për shërbimin civil dhe menaxhimin e burimeve njerëzore përcaktohet dhe strategjia për rritjen e pagave për nëpunësit civilë.

Sipas dokumentit të publikuar, ndërhyrjet në paga synojnë të garantojnë konkurrueshmërinë e administratës publike. Kjo ndërhyrje do të kryhet në dy faza.

Faza e parë përfshin rritjen e pagave për nëpunësit civilë në institucionet e administratës shtetërore dhe në institucionet e pavarura; në sektorin e shëndetësisë; ndërhyrje të pjesshme në strukturën e pagave, rritje e shtesës për vjetërsi në punë për të shpërblyer përvojën në administratën publike. Afati i kësaj faze është dhjetori i këtij viti.

Faza e dytë përfshin rregullimet përfundimtare të komponentëve të pagës për nëpunësit civilë; rritjen e pagave për njësitë e vetëqeverisjes vendore, forcat e armatosura, policinë, sektorin e arsimit. Afati i kësaj faze është dhjetori i vitit 2025.

Brenda vitit 2025, DAP parashikon zbatimin e metodologjisë së klasifikimit të pozicioneve të punës për të gjitha pozicionet e shërbimit civil.

Pas rritjes së nivelit të pagave në prill të këtij viti, DAP vlerëson se administrata publike mbetet atraktive në tregun e punës dhe se është vërejtur rritje e numrit të aplikimeve për pozicionet vakante.

“Raporti i pagave është rregulluar për pozicionet drejtuese për të përballuar ndryshimet në pozicionet e niveleve të larta drejtuese. Shtesa për vjetërsi në punë është rritur për të shpërblyer përvojën për pozicionet në administratën publike. Paga mesatare mujore në administratën publike e rritur në 900 euro deri në vitin 2024, nga 530 euro aktualisht”, thuhet në dokument.

Po ashtu, në dokument jepen dhe parashikimet për rritje të mëtejshme të pagave.

“Rritje e pagave për nëpunësit civilë në vitin 2023: pozicionet e kategorisë ekzekutive nga 19-41%; pozicionet në nivelin e ulët drejtues 28-34%; pozicionet në nivelin e mesëm dhe të lartë drejtues 25-35%. Rritje e pagave për nëpunësit civilë në vitin 2025 për pozicionet e kategorisë ekzekutive me 11-16% krahasuar me vitin 2023”, citohet dokumenti.

Sipas DAP-it, sistemet digjitale që mbështesin menaxhimin dhe shkëmbimin e informacionit në fushën e menaxhimit të burimeve njerëzore janë plotësisht funksionale dhe lejojnë automatizimin e listëpagesave dhe zbatimin e praktikave të mira dhe forcimin e komunikimit ndërmjet institucioneve të administratës publike, brenda vitit 2028.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments