Në fshatin Nepravishtë, në Libohovë, 20 km nga Gjirokastra po zhvillohet projekti “Në Fshat 2”.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro tha sot se “Nepravishta, fshati i bukur i Libohovës plot me thesare turistike, po zbulohet gjithnjë e më shumë si destinacion atraktiv natyror, kulinar dhe kulturor”.

Kumbaro u shpreh se “nisma të tilla si projekti “Në Fshat 2” që po zhvillojmë së bashku me partnerët e GIZ Albania krijojnë shtigje të reja të alternativave të qëndrueshme të zhvillimit dhe ndihmojnë libohovitët që çdo vit e më shumë po i dedikohen turizmit të përmirësojnë nivelin e shërbimit dhe të nxjerrin më të mirën e mikpritjes libohovite”.

Gjatë dy javëve të plota, studentët e “Në fshat 2”, të ndarë në 4 skuadra nën udhëheqjen e mentorëve të tyre dhe të shpërndarë në fshatrat e Zogaj, Rabdisht, Boboshticë dhe Nepravishtë, eksploruan, bashkëpunuan ngushtë me Bashkitë përkatëse si dhe takuan nga afër banorët vendas.

Fshati Nepravishtë vitet e fundit ka zgjuar kuriozitetin e turistëve vendas e të huaj. Në këtë fshat ka disa monumente kulture, si Kalaja e Melanit, Ujësjellësi në Teqenë e Melanit, Kisha Paleokristiane e Manastareqit, Teqeja e Melanit që mendohet se është një zgjatim i qytetit antik ilir të Antigonesë ose i ngritur në gjurmët e një qyteti ende të panjohur ilir.