Mandela, i cili u bë presidenti i parë me ngjyrë i zgjedhur në mënyrë demokratike i Afrikës së Jugut në vitin 1994, vdiq më 5 dhjetor 2013, në moshën 95-vjeçare në shtëpinë e tij në Johanesburg, pas një beteje të gjatë me një infeksion të mushkërive.
Shumë jugafrikanë e quajnë atë “Babai i Kombit” pasi kaloi 27 vjet në burg për rezistencën e tij ndaj regjimit të aparteidit të pakicës së bardhë.
Mandela predikoi pajtim dhe nuk kërkoi hakmarrje kundër atyre që e keqtrajtuan në burg.
Ndërkohë, Fondi Nelson Mandela njoftoi se mbi 10.000 persona do të marrin pjesë në një aktivitet ecjeje dhe vrapimi në Pretoria për ta nderuar atë.
“Është një nder të qëndroj këtu në Fondacionin Nelson Mandela dhe t’i them faleminderit ‘Madibës’ për frymëzimin që vazhdon të na e japë shumëve prej nesh, në Afrikën e Jugut dhe në mbarë botën”, tha drejtori ekzekutiv i fondacionit, Mbongiseni Buthelezi, në një mesazh me video.
Kongresi Kombëtar Afrikan (ANC), të cilin Mandela e drejtoi dikur, tha në një deklaratë se e shënon këtë ditë me kujtim të thellë në nderim të ndarjes së tij nga jeta.
“Dymbëdhjetë vjet më vonë, mungesa e tij ndihet ende në gjithë vendin tonë, sepse Madiba përfaqësonte traditat më të mira të lëvizjes sonë, guxim të rrënjosur në parim, përulësi të lindur nga lufta dhe përkushtim të palëkundur për t’i shërbyer popullit”, thuhet në deklaratë.





