Një delegacion izraelit ka mbërritur sot në Kajro për negociata indirekte mbi luftën e Gazës, thuhet në një raport mes shqetësimeve për një përshkallëzim ushtarak në Lindjen e Mesme.
Delegacioni përfshin David Barnea – i cili drejton agjencinë e shërbimeve sekrete izraelite “Mossad” – Ronen Bar, shefi i shërbimit të brendshëm të sigurisë “Shin Bet”, raportoi gazetari izraelit Barak Ravid në faqen e lajmeve walla.co.il.
Egjipti, Katari dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po ndërmjetësojnë në negociatat indirekte me organizatën islamike palestineze Hamas, duke kërkuar një armëpushim në luftën e Izraelit në Rripin e Gazës, të shkaktuar nga sulmet e Hamasit dhe grupet e tjera ekstremiste në tetor.
Raundi i fundit i bisedimeve vjen mes frikës për një përshkallëzim të konfliktit në Lindjen e Mesme – pas sulmeve vdekjeprurëse ndaj liderit të Hamasit Ismail Haniyeh në Teheran dhe komandantit të Hezbollahut Fuad Shukr në Bejrut – duke e sjellë rajonin në prag të luftës.
Negociatat synojnë një armëpushim dhe shkëmbimin e pengjeve izraelitë të mbajtur nga Hamasi për të burgosur palestinezë në burgjet izraelite.