Tuesday, November 26, 2024
HomeSOCIALEEKONOMINegociatat, takimi BE mbi kriterin ekonomik

Negociatat, takimi BE mbi kriterin ekonomik

Shqipëria dhe Bashkimi Europian zhvilluan në Bruksel takimin e parë dypalësh mbi kriterin ekonomik dhe Kapitullin 32, “Kontrolli financiar”, në kuadër të integrimit. Delegacioni i Shqipërisë kryesohej nga ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, e cila në fjalën e saj shprehu vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të përmbushur të gjitha detyrimet për integrimin e plotë të vendit në Bashkimin Europian, si një objektiv i rëndësishëm strategjik. Fillimisht ministrja bëri një prezantim të shkurtër të situatës ekonomike të vendit dhe theksoi faktin se deri më tani, ekonomia e vendit e ka përballuar relativisht mirë goditjen e fundit globale të furnizimit me energji dhe disa mallra bazë, parë kjo edhe në kontekstin e problemeve që po kalon pjesa dërrmuese e ekonomive në botë. “Stabiliteti makroekonomik është ruajtur mjaft mirë dhe situata e financave publike në vend është nën kontroll”, tha Ibrahimaj, ndërsa shtoi se “qeveria mbetet e angazhuar për të zbutur sa më shumë ndikimin e krizës së fundit në shtresat më vulnerabël të shoqërisë”. Po ashtu, ministrja theksoi se qeveria mbetet e përkushtuar për të vazhduar konsolidimin fiskal, duke synuar uljen e vazhdueshme të raportit të borxhit publik ndaj PBB-së, në përputhje të plotë me rregullin fiskal të frenimit të borxhit. “Në periudhën afatmesme në vijim do të vazhdojmë me reforma të rëndësishme në financat publike, si nga ana e të ardhurave ashtu edhe nga ana e shpenzimeve, për të mbështetur konsolidimin fiskal si dhe për të krijuar hapësirën e mjaftueshme fiskale për financimin e nevojave shtesë në sektorët prioritarë dhe veçanërisht në kapitalin njerëzor, në përputhje gjithashtu me rekomandimin përkatës të bërë nga Komisioni dhe të përsëritur në udhëzimet e politikave të disa raundeve të mëparshme të dialogut tonë të përbashkët”, tha Ibrahimaj. Sa i përket Kapitullit 32, “Kontrolli financiar”, ministrja bëri një prezantim të angazhimeve të Shqipërisë për përafrimin e legjislacionit të brendshëm me atë të BE. “Disa masa konkrete janë marrë në lidhje me kontrollin financiar, të cilat konsistojnë në disa drejtime si; hartimi dhe zbatimi i një kuadri strategjik gjithëpërfshirës në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira të BE-së, me qëllim përcaktimin e një sistemi modern, të përshtatshëm dhe efikas të kontrollit të brendshëm financiar publik dhe aplikimin e metodave të reja për të rritur efikasitetin, përgjegjshmërinë, përkushtimin dhe motivimin e punonjësve publikë; funksionimi i një organi auditimi të jashtëm të pavarur nga ana institucionale, operacionale dhe financiare, që zbaton auditimit në përputhje me standardet e Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit dhe mbështet Parlamentin për një llogaridhënie dhe shqyrtim efektiv; mbrojtja e interesave financiare të BE-së kundër mashtrimeve në menaxhimin e fondeve të BE-së nëpërmjet hartimit dhe zbatimit të një kuadri ligjor në përputhje me kërkesat e acquis të BE-së dhe krijimit të një bashkëpunimi të ngushtë me OLAF-in për raportimin e rasteve hetimore; hartimi dhe zbatimi i kuadrit rregullator, i përshtatur kryesisht me kërkesat e acquis, për sigurimin e kushteve bazë për mbrojtjen e euros nga falsifikimi”, tha ajo. Gjithashtu, ministrja përmendi faktin se në kuadër të procesit integrues është rritur edhe bashkëpunimi institucional me shoqërinë civile, bizneset dhe akademikët.https://ata.gov.al/2022/12/09/negociatat-mbahet-takimi-i-pare-me-be-mbi-kriterin-ekonomik/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments