Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka dhuruar gjak në ndihmë të fëmijëve talasemikë dhe në përgjigje të nevojës në rritje për gjak në stinën e verës. Edhe stafi i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe institucioneve të varësisë i janë bashkuar fushatës së dhurimit vullnetar të gjakut. Ministrja Manastirliu apeloi për rritjen e dhurimeve vullnetare, për të pasur një nivel optimal të rezervave të gjakut në stinën e verës. “Gjaku është një produkt që nuk blihet, nuk shitet. Është një produkt që vetëm dhurohet. Ndaj, në sajë të solidaritetit, në sajë të angazhimit të të gjithëve, ne mund të bëjmë që edhe këtë situatë, periudhën e verës, ku dihet që nevojat për gjak janë të mëdha, ne të bashkohemi të gjithë së bashku dhe të dhurojmë gjak. Për sa i përket nevojave në nivel kombëtar, ne jemi në 12.1 dhurime për 1 mijë banorë dhe duhet të shkojmë drejt 20 dhurime për 1 mijë banorë, që është një nivel i kënaqshëm dhe optimal për sa i përket dhurimit të gjakut”, tha Manastirliu. Duke falënderuar dhuruesit e gjakut, Manastirliu i bëri apel qytetarëve.
“Në vetëm 10 minuta shpëtojnë 3 jetë! Ndaj është shumë e rëndësishme të gjithë së bashku të kontribuojmë me këtë akt human dhe një akt, i cili në fakt, përtej angazhimeve dhe punëve tona të përditshme, është një përgjegjësi e madhe qytetare”. Për vitin 2021 në Shqipërinë janë kryer mbi 34 mijë dhurime të gjakut. 80% të dhurimeve e kryejnë familjarët e personave që kanë nevojë për gjak dhe pjesa tjetër janë dhurime vullnetare. Nisur nga nevoja për gjak që rritet në stinën e verës, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Qendra Kombëtar e Transfuzionit të Gjakut kanë nisur një fushatë ndërgjegjësimi për dhurimin vullnetar të gjakut.http://ata.gov.al/2022/07/27/manastirliu-dhuron-gjak-dhe-apelon-qytetaret-ne-vetem-10-minuta-shpetoni-3-jete/