Kanë nisur punën në terren dy kabinetet dentare të lëvizshme për kujdesin e shëndetit oral të fëmijëve në shkolla. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, me kryetarin e bashkisë së Kamzës, Rakip Sulin, kanë ndjekur nga afër depistimin e fëmijëve për kujdesin e shëndetit oral, nëpërmjet njësive të lëvizshme të dentistrisë në shkollën ‘Dom Nikoll Kaçorri’ në Kamëz. “Përtej përkujdesit të cilin ne ofrojmë në çdo shkollë, nëpërmjet kabineteve dentare, programi i dentistrisë në shkolla tashmë zgjerohet dhe kemi mundësi që edhe në zona rurale, në zona periferike, aty ku ende nuk kemi mundur që të vendosim një unit dentar në strukturat e shkollës, të kemi mundësi që shërbimin për kujdesin ndaj dhëmbëve, fëmijëve t’ja u japim nëpërmjet klinikave stomatologjike të lëvizshme. Programi i dentistrisë përfshin edhe këto klinika stomatologjike të lëvizshme. Janë dy njësi, të cilat tashmë janë në terren, duke ofruar kujdes dentar për fëmijët e grupmoshës nga 6-14 vjeç”, tha Manastirliu. Duke e konsideruar shëndetin e fëmijëve primar, Manastirliu foli edhe për programin e kujdesit për shikimin në shkolla. “Të dy këto programe prekin direkt mbi 240 mijë fëmijë të grupmoshës nga 6-14 vjeç dhe që i siguron kontrollet periodike sa i përket kujdesit ndaj shikimit dhe kujdesit dentar. Ne do të vijojmë t’i zgjerojmë këto programe, sepse fokusi ynë është tek fëmijët, sepse fëmijët janë të parët në politikat tona”, tha Manastirliu. Kryetari i bashkisë së Kamzës, Rakip Suli ka shprehur falenderim që këto njësi dentare të lëvizshme fillojnë punën pikërisht nga Kamza. “Unë ju falenderoj për këtë nismë, një nismë shumë e rëndësishme dhe me një impakt të drejtpërdrejtë tek shëndeti i fëmijëve dhe një impakt të jashtëzakonshëm dhe tek prindërit”, tha Suli. Njësitë e lëvizshme të dentistrisë janë të pajisura me pajisje të fjalës së fundit të teknologjisë dhe do të shërbejnë si kabinete dentare të lëvizshme për nxënësit e shkollave, kryesisht në zonat rurale. Përgjatë viti 2021-2022 Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka investuar në strukturat e kujdesit të arsimit parauniversitar me 19 njësi të reja dentare, ku 10 prej tyre u instaluan në Tiranë dhe të tjerat në tre qarqe, Elbasan, Durrës dhe Shkodër. Edhe këtë vit, MSHMS do të vijojë investimet në shkolla për të zgjeruar bazën e njësive dentare me unite të reja në të gjithë Shqipërinë. atsh
Në terren njësitë e lëvizshme dentare: Për 240 mijë fëmijë
RELATED ARTICLES