Kompania kanadeze ”Central European Petroleum” (CEP) njoftoi se ka bërë një zbulim të rëndësishëm nafte në brigjet polake të Baltikut.

”Sipas rezultateve të shpimeve testuese, rezervat e rikuperueshme të naftës bruto dhe gazit natyror vlerësohen në 200 milionë fuçi ekuivalente nafte”, theksoi kompania.

CEP tha se fusha naftëmbajtëse në det të hapur ”Wolin East” ndodhet afërsisht 6 kilometra nga qyteti port i Swinoujscie, në veriperëndim të Polonisë, në kufi me Gjermaninë.

Kompania tha se fusha ”Wolin East” vlerësohet të jetë “fusha më e madhe konvencionale e hidrokarbureve” e zbuluar ndonjëherë në Poloni dhe “një nga zbulimet më të mëdha konvencionale të naftës në Evropë në dekadën e fundit”.

”Nëse fusha konfirmohet, ajo mund të jetë një nga pikat e kthesës në historinë e eksplorimit të hidrokarbureve në Poloni”, tha gjeologu i njohur polak, Krzysztof Galos.

Zhvillimi i ardhshëm i këtij vendi mund të kontribuojë ndjeshëm në forcimin e sigurisë energjetike të Polonisë dhe në uljen e varësisë së saj nga furnizuesit e jashtëm të hidrokarbureve.

Aktiviteti minerar mund të fillojë brenda tre deri në katër vjetësh.

Fusha mund të mbulojë 4% deri në 5% të kërkesës vjetore të naftës së Polonisë për disa vite.