Ndryshime në ligjin “Për shërbimin postar”

0
2


Ligji i ri forcon rregullat për ofruesit e shërbimit postar, me qëllim rritjen e garancive për zbatimin e kërkesave ligjore në mbrojtje të konsumatorit dhe për interesin publik.

Gjithashtu saktësohen rastet kur AKEP-i bën çregjistrimin e ofruesit të shërbimit postar nga regjistri i autorizimit.

Përveç se është aktualisht e parashikuar në ligj është shtuar dhe çregjistrimi me nismën e AKEP, nëse rezulton se ofruesi i shërbimit ka mbyllur apo pezulluar aktivitetin tregtar, në rastin e revokimit të autorizimit, ose në zbatim të një vendimi përfundimtar gjykate apo administrativ, për shkaqe të bazuara në këtë ligj dhe aktet nënligjore në zbatim të tij.

Ofruesi i shërbimit po ashtu çregjistrohet edhe në rastet objektivisht të arsyetuara kur ofruesi nuk përmbush kërkesat thelbësore për shërbimet postare, nuk garanton integritet, besim dhe transparencë në kryerjen e shërbimeve postare.

Për tarifat e shërbimit postar është propozuar të merret në konsideratë dhe koeficienti i inflacionit.

Projektligji i ri propozon që ofruesi i shërbimit universal postar, që ofron shërbime financiare të ndryshme nga shërbimi postar, ka të drejtë të hapë llogari rrjedhëse në Bankën e Shqipërisë.

Aktualisht Posta Shqiptare është ofruesi i vetëm i shërbimeve postare universale në vend dhe njëkohësisht operatori i caktuar postar në UPU (Unioni Postar Universal, agjenci e specializuar e Kombeve të Bashkuara dhe forumi kryesor i sektorit postar për bashkëpunim ndërkombëtar).

Me zhvillimin teknologjik dhe rritjen e gamës së shërbimeve, Posta Shqiptare prej vitesh krahas shërbimeve postare ka ofruar dhe shërbime financiare bazuar dhe në licencën e lëshuar nga Banka e Shqipërisë për shërbimet financiare jo bankë. Aktualisht Posta Shqiptare është e pajisur me licencën “Për të vepruar si institucion i parasë elektronike në Republikën e Shqipërisë”, lëshuar nga Banka e Shqipërisë.