Qeveria synon reduktimin e ndotjes së ajrit nga gazrat e shkarkuara nga mjetet motorikë.
Synimi është unifikimi i normave kufitare të kategorisë mjedisore me standardet e BE-së, me qëllim zhvillimin e një flote mjetesh që dëmtojnë sa më pak mjedisin përmes emetimeve dhe mbrojtjen e shëndetit të komunitetit.
Në kuadër të këtij qëllimi, ka nisur dhe faza e parë e diskutimeve për ndryshimin e vendimit të qeverisë “për masat kundër ndotjes së ajrit nga shkarkimet e mjeteve motorike dhe reduktimin e shkarkimeve në ajër të ndotësve të gaztë dhe të lëndës së ngurtë pezull”.
Në nisje të kësaj faze të parë, Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor në bashkëpunim me Ministrinë Infrastrukturës dhe Energjisë ka zhvilluar të shtunën një tryezë diskutimesh me palët e interesuara për shkëmbimin e ideve dhe propozimeve mbi këto ndryshime ligjore.
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor, përmes një postimi në rrjetet sociale, sqaron se gjatë tryezës u diskutuan dhe elementet e sigurisë.
“DPSHTRR në bashkëpunim me MIE, inicioi fazën e parë të diskutimeve mbi draftpropozimin për disa ndryshime të VKM Nr. 633, datë 26.10.2018 “Për masat kundër ndotjes së ajrit nga shkarkimet e mjeteve motorike dhe reduktimin e shkarkimeve në ajër të ndotësve të gaztë dhe të lëndës së ngurtë pezull””, të ndryshuar.
“Në një tryezë të përbashkët mirëpriti palët e interesuara, ku u diskutuan propozimet mbi ndryshimin e normave kufitare të kategorisë mjedisore për mjetet e reja dhe ato të përdorura, gjithashtu u diskutuan elementë të tjerë me rëndësi për verifikimin e kategorisë mjedisore”, bën të ditur DPSHTRR.
“Përmes këtyre ndryshimeve DPSHTRR synon të unifikojë normat kufitare të kategorisë mjedisore me standardet e BE-së, me qëllim zhvillimin e një flote mjetesh që dëmtojnë sa më pak mjedisin përmes emetimeve dhe mbrojtjen e shëndetit të komunitetit. Shkëmbejmë ide dhe bashkëpunojmë me grupet e interesit për standardizimin e shërbimeve të automotorizimit shqiptar,” përfundon njoftimi i Drejtorisë së Shërbimeve të Transportit Rrugor.