Ndreu: Situata në zonën e Tales e stabilizuar

0
0

Kryetari i bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu ndau në rrjete sociale momente nga puna e ekipeve që janë në terren, teksa u shpreh se po vijon pandërprerë dhe me intensitet maksimal angazhimi për të parandaluar përkeqësimin e situatës.

“Falenderim të veçantë bizneseve lokale që iu përgjigjën telefonatave në kohë rekord, edhe gjatë orëve të vona. Përkushtimi dhe reagimi i menjëhershëm i tyre ka bërë të mundur stabilizimin e situatës aktuale, duke minimizuar rreziqet për banorët dhe pronat”, tha Ndreu.

Sipas tij, aktualisht situata është nën kontroll, ndërsa ekipet vazhdojnë monitorimin e zonave më të prekura. Ekipe të specializuara janë në terren për kontrollin e rrjedhjeve të ujit, forcimin e mbrojtësve dhe për të siguruar që toka bujqësore dhe oborret të mos preken më tej.

Bashkia e Lezhës u bën apel qytetarëve që të ruajnë kujdesin dhe të raportojnë çdo situatë kritike. Sipas autoriteteve, situata mbetet nën kontroll, por operacionet emergjente do të vazhdojnë deri në normalizimin e plotë të situatës.