Sipas kryebashkiakut të Lezhës, deri tani në total janë çliruar rreth 4500 m2 hapësira publike, të cilat shfrytëzoheshin në mënyrë të paligjshme nga subjektet private.
Ndreu theksoi se me fillimin e kësaj ndërhyrje është vënë re bashkëpunimi i subjekteve private për t’i çmontuar vullnetarisht strukturat pa leje, ndërsa për subjektet që nuk kanë reaguar është bërë çmontimi i tyre nga struktura përkatëse e Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit.
“Çdo ditë në terren po vijon identifikimi i ndërtimeve pa leje, qofshin këto struktura metalike, apo mure rrethuese e platforma betoni të ngritura në mënyrë të paligjshme”, u shpreh Ndreu.
Edhe reagimi qytetar, sipas Ndreut, ka qenë mjaft pozitiv ndaj kësaj nisme, ku në vijimësi ka pasur edhe raportime të ndërtimeve pa leje nga vetë qytetarët.
Ndreu theksoi se paralelisht me këtë operacion, strukturat e bashkisë janë angazhuar edhe për sistemimin e hapësirave publike, të cilat tashmë do t’u kthehen komunitetit.
Lirimi i hapësirave publike në Lezhë do të vijojë me prioritet edhe në muajt në vijim, si pjesë e operacionit që po zbatohet tashmë në gjithë territorin e vendit dhe që i paraprin vizionit të qeverisë për Rilindjen Urbane 2.0.