Ndrek Shkjezi, aktori që ndërtoi karaktere të paharruara

0
1

Ndrek Shkjezi, themelues i teatrit shqiptar dhe aktor i skenës dhe ekranit. Pas mbarimit të shkollës shtatëvjeçare do të fillonte të luante në kitarë apo të këndonte në një orkestrinë të vogël. Më vonë do të interpretonte dhe role të vogla në trupa teatrale joprofesioniste. Largohet nga Shkodra menjëherë pas mbarimit të luftës dhe në vitin 1945 së bashku me artistët Naim Frashëri, Kadri Roshi dhe Mihal Popin do të themelonte Teatrin e Shtetit, që më vonë do të quhej Teatri Popullor (sot Teatri Kombëtar). Në teatër ka luajtur rreth 100 role: tek “Cuca e maleve” e Loni Papës, “Deputeti”, “Fytyra e dytë”, “Halili dhe Hajria” e Kolë Jakovës, “Hamleti” i Shekspirit, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” e Piro Manit (Artist i Popullit), “Gjido” etj. Në kinematografi ka luajtur në më se 30 role të ndryshëm. Kështu, mund të përmendim rolin e tij të parë, atë të Jakobinit në filmin “Skënderbeu”, që do të jetë edhe filmi i parë Kinostudios “Shqipëria e re”, në bashkëpunim me Kinostudion Ruse “Mosfilm”.

Më tej do të vazhdonin rolet e tij në filmat “Debatik” (tregtari) në vitin 1961, “Plagë të vjetra” (Llambi) në vitin 1969, “Mëngjese lufte” (Et’hem Beu) në vitin 1971, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (ish-oficeri) dhe “Në pyjet me borë ka jetë” (Alalaman Uka) në vitin 1978, në vitin 1978 në filmin “Radiostacioni” (i pasuri), në vitin 1981 në filmin “Shoku ynë Tili” (mësuesi i gjeografisë), në vitin 1981 në filmin “Apasionata” (roja e Institutit të Arteve), në filmin televiziv “Kur hidheshin themelet” (Zeneli) dhe në filmin “Fejesa e Blertës” (babai i volejbollistes) në vitin 1984, në vitin 1986 “Dhe vjen një ditë” (portieri Nikolla) dhe “Kur hapen dyert e jetës” (Gjin Kryebardhi), në vitin 1990 në filmin “Një djalë dhe një vajzë” (Gjenerali – gjyshi i Artanit) dhe “Fletë të bardha” (xhaxhai i Kristinës) etj. U nda nga jeta në vitin 2000. Për meritat e tij artistike Ndrek Shkjezi është vlerësuar me Urdhrin “Naim Frashëri” dhe në vitin 1989 me titullin “Artist i Merituar”.