Kombëtarja shqiptare do të luajë të premten e 17 nëntorit “finalen” e parë të këtij muaji ndaj Moldavisë në transfertë, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian “Gjermani 2024”. Portieri i Kombëtares, Etrit Berisha doli sot në konferencën zyrtare për media, ku iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve lidhur me këto ndeshje. Ai deklaroi se skuadra duhet të jetë e fokusuar maksimalisht në ndeshjen me Moldavinë, ndërsa u shpreh se brenda grupit të kuqezinjve ka entuziazëm, por jo eufori. Moldavia është një kundërshtar me shumë kualitet dhe do të luajë fort, tha ndër të tjera gardiani kuqezi, por nga ana tjetër, të njëjtën gjë do të bëjnë edhe kuqezinjtë në fushën e lojës. “Jemi në një moment shumë delikat. Jemi shumë të fokusuar për këtë ndeshje. Një nga arsyet se pse kam zgjedhur që të shkoj tek Empoli ka qenë se dua të jem i gatshëm dhe në një formë shumë të mirë. Kjo po ndodh fatmirësisht. Për gjëra të tjera, duhet t’ia lëmë trajnerit”, tha ai. I pyetur nëse i bën përshtypje Moldavia pas pritjeve që bëri në ndeshjen ndaj “Napolit”, Berisha tha se, “sigurisht që po. Ndeshjen me ‘Napolin’ e kam harruar dhe jam i fokusuar te kjo ndeshje me Moldavinë. E kemi entuziazmin dhe s’duhet ta humbasim, sepse është e vështirë për t’u krijuar. Duhet të shkojmë në Moldavi, me të gjithë respektin që kemi për ta. Por ne do të bëjmë lojën tonë”. I pyetur se sa ndryshon kjo sfidë ndaj Moldavisë nga ajo e Tiranës, Berisha tha se, “është një sfidë e re. Çdo ndeshje ka vështirësitë e saj. Ne i dimë kualitetet e tyre dhe kualitetet tona. Duhet të hyjmë sa më shumë të motivuar, që të kryejmë punë sa më parë të jetë e mundur”. Për euforinë në skuadër, portieri Berisha theksoi se,”nuk mund të them që ka eufori, por ka entuziazëm. Këtë duhet ta mbajmë dhe më tutje. Kemi qenë në vështirësi më herët, kemi derdhur djersë e mund për të arritur deri këtu. Jo vetëm në këtë ndeshje, por edhe pas kësaj ndeshje duhet ta menaxhojmë situatën sa më mirë dhe t’i bëjmë gjërat si duhet. Nëse kemi mundësi që të kualifikohemi në Europian, duhet të shkojmë dhe t’i bëjmë gjërat dhe më mirë se ç’i kemi bërë më herët”. Për presionin përpara kësaj ndeshjeje, Berisha tha se, “nuk jemi në pozitën e Moldavisë, por mundohem që ta kuptoj situatën e tyre. Çdo ekip që është përballur me ne, i kemi vendosur në vështirësi dhe do të mundohemi të bëjmë të njëjtën gjë. Për ne në letër, mund të jetë diçka më e lehtë, por ata nuk kanë asgjë për të humbur. Do futen në fushë për fitore dhe të njëjtën gjë duhet të bëjmë edhe ne. Nuk duhet të bëjmë shumë kalkulime. Në ndeshjen tjetër, duhet të shkojmë gjithashtu për fitore”.