Hekurudha Shqiptare nisi punën për ndërtimin e stacioneve përgjatë segmentit Durrës-Tiranë-Aeroporti Rinas.
Pranë zyrave të Hekurudha Shqiptare u zhvillua takimi i parë i nisjes së projektit.
Në këtë takim morën pjesë përfaqësuesit e kompanisë kontraktuese “Strabag”, supervizori i projektit “Obermeyer” dhe përfaqësues të Hekurudhës Shqiptare.
“Takimi shënoi një hap të rëndësishëm drejt implementimit të suksesshëm të projektit dhe fillimin zyrtar të bashkëpunimit ndërmjet palëve”, bën të ditur kreu i Hekurudhës Shqiptare, Ergys Verdho.
Sipas projektit të kësaj linje hekurudhore, koha e udhëtimit Tiranë-Durrës do të jetë 24 minuta dhe Tiranë-Rinas vetëm 12 minuta.
Linja do të ketë 11 stacione, të cilat do nisin nga Durrësi, për të vijuar në Shkozet-Sukth-Vorë-Kashar, linja këto ekzistuese por që i janë nënshtruar riparimit. Më pas aksi hekurudhor do të vijojë në Laknas, Aeroporti i Tiranës dhe Terminali i Transportit Publik Tiranë.
Stacioni i 9-të dhe i 10-të janë parashikuar dhe projektuar të ndërtohen në kontratën e segmentit shtesë nga Terminali i Transportit Publik Tiranë deri te Bulevardi i Ri. Ndërkohë stacioni i 11-të është menduar të shtrihet në kryqëzimin e rrugës “Jordan Misja” – Bulevardi i Ri.
Treni i hekurudhës Tiranë-Durrës do të jetë elektrik, ndërkohë që shpejtësia e lëvizjes parashikohet 100 km /orë. Hekurudha është e gjatë rreth 34 km dhe financimi i saj mbështetet nga BERZH përmes një kredie me vlerë 70 milionë euro.