Ndërtimi i portit të ri tregtar të Durrësit në Porto Romano, do të ndryshojë “lojën” në rajon, pasi kthehet në portën hyrëse të Ballkanit Perëndimor. Ky port do të jetë jo vetëm porti më i madh në Shqipëri, por do të jetë dhe nyja më e rëndësishme strategjike e gjithë qarkullimit tregtar me perëndimin. Projekti për portin e ri tregtar është hartuar nga kompania holandeze “Royal Haskoning DHV”, një ndër pesë kompanitë më prestigjioze të botës në fushën e projektimit të porteve, aeroporteve, infrastrukturës tokësore e nëntokësore, energjetike, minerare, industriale, si edhe zhvillimeve urbane e rurale. Projekti integron hekurudhën Durrës-Prishtinë dhe portet e thata në Kosovë e Maqedoninë e Veriut. Në fillim të vitit të ardhshëm do të hapet gara ndërkombëtare për ndërtimin e portit. Investimi për ndërtimin e kësaj vepre parashikohet të jetë 390 milionë euro, ndërsa do të punësohen afro 1500 persona. 46% e vlerës së këtij projekti do të mundësohet nga Qeveria Shqiptare, ndërkohë që 54% do të jetë financim që do të sigurohet nga kompania ndërtuese. Është një projekt strategjik i parashikuar ti përgjigjet kërkesave të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, por edhe vendeve të tjera të rajonit për 4 dekadat e ardhshme. Porto-Romano do të ketë një sipërfaqe prej 400 hektarë me kapacitet prej 2 milionë kontejnerë deri në 50 milionë tonelata. Po ashtu parashikohet të presë deri në 1 milion pasagjerë. Nëpërmjet këtij projekti distanca me Prishtinën pritet të shkurtohet në 265 kilometra. Projekti i investimit në Porto Romano, në përfundim të tij përllogaritet të ketë një impakt pozitiv në GDP e Shqipërisë nga 3 % deri në 6 %. Projeksionet e vëllimit të transportit me konteiner, nëse qeveria nuk merr një kompani ndërkombëtare për operim në port, janë që vëllimi të shkojë në rreth 600 mijë TEU në vitin 2060 nga rreth 200 mijë TEU që është sot. Ndërsa nëse qeveria si klient sjell një operator ndërkombëtar me anë të procesit të tenderimit, ky vëllim parashikohet të shkojë rreth 900 mijë TEU. Vendndodhja e portit lejon zhvillimin e portit me zona, në jug të jetë kargo, në veri kontejnerët dhe në qendër të jetë pjesa e hidrokarbureve. Faza e parë, parashikon përmirësimin dhe zgjerimin e infrastrukturës portuale në Porto Romano. Sipas masterplanit në këtë fazë do të ndërtohet e gjithë infrastruktura e nevojshme për zhvendosjen e shërbimeve të ngarkesave nga porti i Durrësit në Porto Romano. Faza e dytë e zhvillimit të portit të ri të Porto Romanos parashikon mundësinë e zgjerimit të infrastrukturës së terminalit, në mënyrë që të ofrohen kapacitete shtesë manovrimi në terminal dhe të mundësohet akomodimi dhe menaxhimi i anijeve më të mëdha në të ardhmen. Faza e tretë parashikon zgjerimin e infrastrukturës portuale dhe ndërlidhjen e terminaleve të reja me transportin intermodal (hekurudhë dhe terminale logjistike tokësore). Kjo fazë parashikon ndërlidhjen me Korridorin 8.https://ata.gov.al/2022/12/12/ndertimi-i-portit-te-ri-tregtar-te-durresit-do-te-mundesoje-1500-vende-te-reja-pune/
@METEOALB Weather Channel
@https://meteoalb.com/
@https://www.facebook.com/meteoalb/
@https://www.facebook.com/meteoalb.moti/
@https://www.instagram.com/moti.meteoalb/
@https://play.google.com/store/apps/details?id=com.meteoalb.app
@https://apps.apple.com/us/app/meteoalb/id1633817605