Sunday, November 24, 2024
HomeSOCIALEKOSOVA​Nderohet vepra e luftëtarëve të rënë në Rogovë të Hasit

​Nderohet vepra e luftëtarëve të rënë në Rogovë të Hasit

Më 27, 28 dhe 29 janar të vitit 1999 ranë dëshmorë 21 luftëtarë të lirisë në fshatin Rogovë të Hasit, dhe disa pjesëtarë të popullatës civile të fshatit. Po ashtu, në këto data, kujtohen edhe nëntë të rënë të tjerë në fshatin Goden dhe Bishtazhin të komunës së Gjakovës. Për të nderuar veprën e këtyre të rënëve, qytetarë të shumtë, përfaqësues të OVL UÇK-së, dega në Has, zhvilluan homazhe pranë lapidarit dhe varrezave të dëshmorëve në Rogovë. Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, dega në Has, Xhevdet Thaçi, tha se institucionet i kanë harruar familjarët e dëshmorëve, bijtë e të cilëve dhanë jetën që sot Kosova të jetë e lirë dhe e pavarur. “Jemi mbledh sot t’i përkujtojmë disa ngjarje shumë të rëndësishme në kohë, kanë qenë të rëndësishme sepse falë këtyre ngjarjeve arritëm te liria që sot po i nderojmë dëshmorët. Respekt për nënën Zerife, e cila e ka humb burrin me tre djemtë. Neve populli na ka falë gabimet nëna Zerife, por toka s’do të na falë kurrë. Ne jemi në dijeni që kemi kaluar në një harresë klasike si institucione, kështu që ju si familjarë të jeni të bashkuar së paku në këto data, sepse keni dhënë ata që gëzojmë sot e për gabimet që kemi bërë ju kërkojmë falje. Ne bëjmë politikë nëna Zarife por ju familjarët të jeni unik”, u shpreh Thaçi. Në emër te fshatit foli Sadik Hoti, i cili ka kujtuar këtë ditë si më të rëndën për Rugovën e Hasit. “29 janari ishte një ditë e rëndë dhe e dhimbshme për Rugovën dhe Hasin në përgjithësi, sepse atë ditë ranë djemtë më të mirë të këtij vendi. Neve, familjarët e tyre, duhet të jemi krenarë për djemtë e tillë, falë gjakut të tyre ne sot gëzojmë lirinë”, tha Hoti. Eprori i Brigadës 126 Hasi, Gjon Preçi tha se falë këtyre burrave e djemve, vendi po e gëzon lirinë. “Sot e kujtojmë 24 vjetorin e të rënëve të 30 burrave që e paguan çmimin e lirisë për pavarësinë e Kosovës. Me 27 janar 1999, Ushtria Çlirimtare e Zonës së Dukagjinit ishte në rrugëtim drejt shtetit amë (Shqipëri) për terzin dhe të ura ballafaqohet me forca serbe ku vriten dy policë serbë dhe dy ushtarë tanë. Këta djem e burra nuk kishin të ndaluar, vazhdojnë rrugën sërish drejt shtetit amë dhe kur arrin në Goden, vriten edhe dy vëllezër. UÇK detyrohet të kthehet në fshatrat hasjan ku e gjetën strehimin, gjithë Hasi ishte në këmbë ta kryej obligimin kombëtar… E nëse sot pyesim kush ishin këta djem, ishin UÇK, këta që i treguan botës që edhe ne dimë të vdesim për komb e atdhe, këta që e bindën forcën më të madhe të botës, NATO-n t’i bashkëngjiten UÇK-së dhe ta çlirojnë Kosovës. Është e vërtetë që e paguam çmimin më të shtrenjtë për këto data, por sot falë gjakut te dëshmorëve e gëzojmë lirinë”, tha Preçi. Gjatë atyre tri ditëve kanë rënë në altarin e atdheut: Agim Zeneli, Luan Smajli, Agron e Sejdi Rama, Pren e Meme Lleshi, Agush Gjoci, Valon Gashi, Bahtjar Morina, Daut Kelmendi, Emrush Çeta, Kasim Shala, Hamdi Berisha, Gezim Ademi, Haxhi Lypjani, Gasper Karaçi, Ilir Merturi, Naim Gashi, Naim Dreshaj, Sahit Krasniqi dhe Vesel Avdyli. ATSH

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments