Kalaja e Gjon Boçarit në Tragjas, Vlorë, Monument Kulture i Kategorisë së Parë do t’i nënshtrohet ndërhyrjeve restauruese dhe konservuese.
Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore bëri të ditur sot se kjo ndërhyrje do të realizohet për shkak të gjendjes së dëmtuar në disa segmente të kalasë.
“Kalaja e Gjon Boçarit do t’i nënshtrohet ndërhyrjeve restauruese dhe konservuese, për të ruajtur dhe valorizuar trashëgiminë e saj të çmuar”, theksoi IKTK në një postim në rrjetet sociale.
Kjo kala ka rëndësi të veçantë historike dhe arkitektonike.
E ndërtuar në shekullin XVI dhe e zgjeruar në shekullin XVII, kjo kala përfaqëson një shembull tipik të arkitekturës mbrojtëse të periudhës.
Ka një planimetri katërkëndëshe kënddrejtë (30 x 18 m), me dy kulla poligonale në qoshet veriore dhe lindore, të cilat kanë shërbyer për mbrojtje dhe vrojtim.