Sunday, November 24, 2024
HomeSOCIALENdërhyrje në Shkodër, për të shmangur efektet negative nga ndryshimet klimatike

Ndërhyrje në Shkodër, për të shmangur efektet negative nga ndryshimet klimatike

Ndryshimet klimatike sjellin efekte negative në shëndet dhe mjedis, si përmbytjet apo erozioni.

Për të shmangur këto efekte pranë Kishës së Shirgjit në Shkodër, një ndër 7 kishat mesjetare në të gjithë basenin e Drinit, janë hedhur inerte për të mbrojtur toka bujqësore në këtë zonë.

Një grup gazetarësh, studentësh dhe ekspertësh mjedisorë vizituan këto ndërhyrje në kuadër të trajnimit mbi gazetarinë klimatike me temë, “Eksplorimi i Ndikimeve të Ndryshimeve Klimatike në lumin Buna, Shqipëri”, organizuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit në bashkwpunim me GIZ Albania në Shkodër, për të parë nga afër efeket negative të ndryshimeve klimatike si përmbytjet, erozioni, ndryshimi i nivelit të ujërave dhe dëmet në infrastrukturë.

Aurora Piroviq, drejtuese e organizatës mjedisore “Well Point” në Shkodër, u shpreh se, hedhja e inerteve është një nga metodat për të mbrojtur tokat bujqësore të buta, nga përmbytjet dhe erozioni.

“Lumi Buna është i vetmi lum fushor në Shqipëri, është 44 km i gjatë, buron nga Liqeni i Shkodrës dhe derdhet në Detin Adriatik. Është lum kufitar mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, si edhe është zonë e mbrojtur e kategorisë së 5-të, peisazh i mbrojtur natyror. Ndërsa sipas statusit të mbrojtjes ndëkombëtare është zonë Ramsars, së bashku me liqenin e Shkodrës si ligatinë e rëndësisë së veçantë për shkak të numrit të lartë të biodiversitetit, sidomos për shpendët ujorë”, nënvizoi ajo.

“Lumi Buna sa i përket thellësisë ka një thellësi të ndryshueshme, në segmente të ndryshme dhe regjimi ujor i tij varet nga 2 faktorë, nga prurjet nga liqeni i Shkodrës, por dhe nga menaxhimi i lumit Drin. Meqenëse në kaskadën e lumit Drin janë të ndërtuar 3 hidrocentrale”, tha Piroviq.

“Prurjet varen nga sasia e reshjeve apo sasia e dëborës që bie në Alpe, si dhe varen edhe nga prurjet e lumit Drin, i cili bashkohet në fshatin Zus, bashkë me lumin Buna dhe rrjedhin të dy së bashku si një lumë i vetëm”.

“Sa i përket liqenit të Shkodrës, prurjet ku lumi Buna merr burimin, sidomos lugina e Bogës, është rajoni me sasinë më të lartë të reshjeve në Shqipëri. Në luginën e Bogës vërshon Përroi i Thatë, i cili ka prurjet më të mëdha në liqenin e Shkodrës dhe kjo ndikon shumë edhe në nivelin e lumit Buna”, u shpreh Piroviq.

Ajo tha se, “nga lumi Buna duke qenë se është fushor, vit për vit apo brenda pak viteve ndodhin përmbytje në të 2 anët e lumit Buna, si nga fshatrat e njësisë administrative Ana e Malit, por edhe në fshatrat e njësisë administrative të Dajçit. Fshatrat më të prekur nga përmbytjet janë Oboti nga pjesa e njësisë administrative Ana e Malit dhe Dajçi, duke përfshirë edhe fshatrat e Shirgjit dhe Darragjatit”.

Piroviq shpjegoi se, kryesisht në të 2 anët e lumit Buna, për shkak të rrezikshmërisë të lartë që paraqet për përmbytje, nuk ka banesa apo ndërtime, ndërhyrje, por ka vetëm toka bujqësore.

Ajo u shpreh se imapkt negativ nga përmbytjet është edhe erozioni.

“Këto toka vit për vit rrezikohen nga gërryerja që merr rrjedha e lumit, duke marrë toka me vete, toka të buta që lehtësisht uji jo vetëm i përmbyt, por edhe merr sipërfaqe të tëra me vete duke krijuar edhe depozitime inertesh në grykëderdhjen e lumit Buna. Prandaj shpesh herë autoritetet lokale dhe qendrore kanë bërë disa ndërhyrje. Një nga ndërhyrjet është forcimi i argjinaturave dhe hedhja e inerteve për të mbrojtur toka bujqësore të fshatit Shirgj, por edhe për të mbrojtur monumentet kulturore historike siç është edhe Kisha e Shirgjit, që është monument i mbrojtur”, theksoi Piroviq.

Pra ndryshimet klimatike gjatë viteve të fundit janë shumë të dukshme në këtë zonë duke sjell përmbytje të përsëritura dhe erosion të shtuar, me pasoja të mëdha në njerëz, mjedis,
infrastrukturë dhe financa.

Trajnimi mbi Gazetarinë Klimatike synon të nxisë një rrjet gazetarësh dhe jo vetëm, për të njohur më mirë dhe inkurajuar raportimin e çështjeve të lidhura me klimën.

Përgjatë këtij trajnimi pjesëmarrësit pritet të realizojnë publikime mbi ndryshimet klimatike, me perspektiva të reja dhe me fokus në zgjidhjen e problematikave si dhe të japin ide novatore në raportimin e klimës, duke përfshirë përvojat e realitetit virtual, podkastet, fushatat e mediave sociale ose metoda të tjera inovative të komunikimit klimatik, që mund t’i bëjnë të dhënat klimatike tërheqëse dhe të kuptueshme.

Vendi ynë është shumë i ekspozuar dhe vulnerabël ndaj ndryshimeve klimatike dhe për t’iu përgjigjur nevojave në këtë drejtim, projekti i financuar nga Fondi i Gjelbër për Klimën GCF për të forcuar gatishmërinë e Autoritetit Kombëtar të Përcaktuar NDA, po zbatohet nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Qeveria Gjermane nëpërmjet GIZ Albania.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments