Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër inspektoi në terren punimet e projektit “Stabilizim emergjent i një pjese të murit verior në kalanë e Lezhës”. Projekti është pjesë e paketës së rindërtimit pas dëmeve të shkaktuara nga tërmeti. Ky projekt ka si qëllim sigurimin, mbrojtjen dhe konservimin arkitektonik të monumentit.

Aktualisht ka përfunduar faza e gërmimit arkeologjik dhe çlirimi prej dherave të një  segmenti të murit, ku nuk mungojnë artefaktet dhe të dhëna të reja arkeologjike për urbanizimin në qytetin e sipërm të Lisit.

Të dhëna janë dokumentuar tashmë nga subjekti arkeologjik i licensuar IKTK dhe DRTK Shkodër.

Zona e murit perimetral paraqet problemet më të mëdha strukturale, ku vërehet se në anën veriore të tij, pranë kullës rrethore me gurë poligonalë, ka një çarje të thellë në të gjithë lartësinë e murit si dhe inklinim të tij.

Qasja metodologjike e adoptuar për fazën tjetër të projektit, atë të përforcimit arkitektonik dhe restaurues, por dhe për ndërhyrjet të konsolidimit strukturor të monumentit, merr parasysh kriterin e ndërhyrjeve minimale, kryesisht duke përdorur materialet origjinale.